Izraeli kryen sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake në Iran, shpërthime të forta në kryeqytetin iranian

Ushtria izraelite njoftoi se ka nisur sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake në Iran, ndërsa mediat iraniane raportuan se ishin dëgjuar një sërë shpërthimesh në kryeqytetin e vendit, Teheran, si edhe në qytetin pranë tij Karaj, të shtunën herët. Ushtria izraelite tha se po kryente “sulme me saktësi të lartë ndaj objektivave ushtarake në Iran”, pa dhënë më shumë hollësi.

“Regjimi në Iran dhe grupet e lidhura me të në rajon kanë sulmuar intensivisht Izraelin që nga 7 tetori, në disa fronte, duke përfshirë sulme të drejtpërdrejta nga toka iraniane”, thuhej në një deklaratë të ushtrisë izraelite. “Ashtu si çdo vend tjetër sovran në botë, shteti i Izraelit ka të drejtën dhe detyrën të përgjigjet”.

Sulmi ndodhi ndërsa Sekretari amerikan Shtetit, Antony Blinken arriti në Shtetet e Bashkuara pas një turneu në Lindjen e Mesme. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Sean Savett i tha Zërit të Amerikës se “Uashingtoni është në dijeni se Izraeli po kryen sulme të sakta ajrore ndaj objektivave të caktuara ushtarake në Iran në ushtrim të së drejtës për t’u vetë-mbrojtur dhe në përgjigje të sulmit të Iranit me raketa balistike ndaj Izraelit, në 1 tetor”. Presidenti Joe Biden dhe Nën Presidentja Kamala Harris u informuan mbi operacionin e Izraelit, njoftoi Shtëpia e Bardhë të premten. Ata po ndjekin nga afër zhvillimet dhe do të vazhdojnë të informohen, raportojnë mediat. Një zyrtar amerikan i Mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se Izraeli i kishte njoftuar Shtetet e Bashkuara para se të niste sulmin ndaj Iranit. “U njoftuam paraprakisht mbi atë që do të ndodhte”, tha zyrtari , duke theksuar se “ne nuk ishim të përfshirë”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin zhvilloi të premten një bisedë telefonike me homologun izraelit Yoav Gallant, tha një zyrtar amerikan i Mbrojtjes për agjencinë Reuters, pa dhënë më shumë informacion mbi përmbajtjen e bisedës, apo kohën se kur u zhvillua.

 

SHKARKO APP