Ja çfarë la pas konflikti në Kumanovë (FOTO)

 

Pas tërheqjes së forcave policore, banorët kanë hyrë në lagjen e “Trimave” në Kumanovë, ku gjendja është tmerruese për shkak të dëmeve të mëdha në banesa.

Shtëpi të shkatërruara dhe të demoluara, rrugët e mbushura me gëzhoja plumbash, erë baruti dhe erë mbeturinash, dëme të tjera materiale dhe dyqane të shkatërruara, është panorama që ofron tanimë vendbanimi i shqiptarëve në qytetin e Kumanovës.

Banorët kanë vizituar dhe parë me lot në sy shtëpitë e tyre, ndërsa ata që u janë dëmtuar plotësisht shtëpitë informohet se janë strehuar jashtë vendit.

Nga ana tjetër qytetarët shprehin shqetësime dhe apelojnë që të zbardhet gjithçka lidhur me dëmin që kanë pësuar dhe skenarin që ndodhi në vendbanimin e tyre.

“Kjo është shtëpia e fqinjve të mi dhe është e dëmtuar plotësisht. Kjo është e paparë që ka ndodhë dhe një tmerrë i vërtetë që nuk ka ndodhur as në luftëra më të ashpra. Nuk dijmë çfarë fati do të pësojmë dhe a do të vijë dikush në ndihmën tonë”, theksoi një banor i Lagjes së Trimave, informon Ina.

Një pjesë e madhe e banorëve nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre dhe mësohet se pjesa më e madhe e tyre nesër do të kthehen pranë vatrave të tyre.

SHKARKO APP