Ja çfarë përmbajnë 112 projektet e propozuara nga Bashkia e Tiranës

 Bashkia e Tiranës prezantoi sot në konferencën e donatorëve 112 projekte të ndarë sipas pesë fushave priotares si: zhvillimi ekonomik, zhvillimi rural, zhvillimi social, jeta në qytet dhe transporti. Për secilën nga këto pesë fusha në konferencë u prezantuan projekt-ide që variojnë nga planifikimi më i mirë urban, zhvillimet infrastrukturore dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike.

 Vizioni i ri i Bashkisë është transformimi i Tiranës nga një qytet që përsiatet çdo ditë për të ofruar shërbimet bazike tek qytetarët e saj, në një qytet që është i miqësor dhe lehtësisht i aksesueshëm për qytetarët apo turistët.

 Për sasi përket zhvillimi të jetës në qytet, Bashkia e Tiranës propozoi projekte për korsi të dedikuar biçikletash, në disa prej akseve kryesore të qytetit. Një tjetër projekt ka të bëjë me korsi të dedikuar për autobusë përgjatë bulevardit ku kalon Lumi Lanës. Bashkia ka prezantuar projektin për vendosjen e semaforëve LED në të gjitha kryqëzimet. Por, nuk mungojnë dhe projekte madhore siç janë terminali perëndimor, parkingjet nëntokësore, mbikalimet, tram dhe tren në Tiranë dhe projekti për pusetat plastike dhe makineri për pastrimin e kanaleve të ujërave të zeza. Për këtë fashë projektesh u propozuan 14 ide.

 Ekonomia ishte një tjetër pikë e rëndësishme e prezantimit të projekteve. 16 projekte që kanë në thelb zhvillimin e qytetit u prezantuan përpara donatorëve. Disa prej tyre kanë të bëjnë me zhvillimin e zonës teknologjike dhe ekonomike, promovimin e produkteve e “Made in Tirana”, krijimin e portalit të punëismit për Bashkinë e Tiranës, ngritjen e zyrës së karrierës, transformimin e Tregut Cam në një zonë zhvillimi ekonomik dhe ngritjen e inkubatorit të biznesit social.

 21 projekte të tjera i përkisnin zhvillimit social. Të cilat kishin në fokus përmirëismin e kushteve për komunitetin rom dhe egjiptian, rikonstruksionin e disa shkollave, hapjen e një qendre sociale ditore në Krrabë, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve dhe projekte të tjera për fuqizimin e ide inovative.

 Në fokus të vecantë të kësaj konference ishte dhe jeta në qytet, për të cilën u prezantuan 57 projekte. Përmes këtyre projekteve Bashkia e Tiranës synon kryesisht shtimin e hapësirave të gjelbra. Disa prej projekteve të kësaj kategorie janë për krijimin e serave për prodhimin e pemëve për mbjellje në qytet, park aventurash, pika informacioni për parqet, zhvillimin e Parkut të Pëllumbasit, krijimin e Parkut të Tulipanave, park lojërash për personat me aftësi të kufizuar, pika monitorimi për cilësinë e ajrit, krijimi e parkut sportiv për motorra etj,.

 Një tjetër fokus në këtë konferencë i është dhënë zhvillimit rural, ku u prezantuan projekte mbi krijimin e hartës dixhitale për prodhimet e agrikulturës, ngritjen e qendrës së këshillimit për fermerët, zhvillimin e agroturizmit në Ndroq dhe aplikimin e projektit agroturizëm i qendrueshëm për zhvillimin lokal në Pezë.

 Kjo konferencë synon të prezantojë zgjidhje efektive, të cilat ulin kostot, ulin përdorimin e burimeve të limituara apo të fundme si dhe angazhojnë të gjithë aktorët e shoqërisë në zhvillimin e saj.

 Për arritjen e këtij vizioni, Bashkia e Tiranës synon të krijojë lidhje të forta mes qeverisë lokale, sektorit privat, investitorëve vendas e të huaj, donatorëve, e institucioneve që ofrojnë ekspertizë në fusha të ndryshme dhe më e rëndësishmja qytetarëve.

SHKARKO APP