Ja ku është “Dinamo” e Zagrebit përballë “Skenderbeut”. Historiku i ekipit kroat

 

Që nuk do të ishte një short aspak i lehtë ai i play-off-it së Ligës së Kampionëve për Skënderbeun, një gjë e tillë nuk kishte diskutim. Goglat e përziera dje në Nion të Zvicrës “peshkuan” për korçarët Dinamon e Zagrebit me të cilën, kampionët e Superligës do të diskutojnë pjesëmarrjen në grupet e Champions League. Midis skuadrave si Bazeli, Sëlltiku, BATE, APOEL dhe gjigantët kroatë, shorti i djeshëm përzgjodhi pikërisht këta të fundit për bardhekuqtë e trajnerit Josa. Një klub që në historinë e tij njeh suksese të shumta në kampionatin kroat me 17 kampionate të fituara, plot 10 tituj kampionë radhazi që nga sezoni 2005-2006, 13 Kupa të Kroacisë gjithsej, 22 pjesëmarrje në Europa League dhe 18 në Champions League. Një histori e gjitha për t’u pasur frikë dhe respektuar nga Skënderbeu, që gjithsesi në këtë fazë të Eliminatoreve që ka arritur nuk ka se çfarë të humbasë (përveç se disa milionë euro më shumë). Kjo pasi historinë e futbollit shqiptar, korçarët tashmë e kanë shkruar duke mbërritur deri në play-off të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, të besuarit e Josës do të bëjnë përpjekjet e tyre maksimale, në 180 minuta që do të jenë të gjitha për t’u shijuar. Por kush është Dinamo e Zagrebit? Çfarë duhet të dimë më shumë për gjigantët e kampionatit kroat? Në fakt, një ndër klubet më të shquar në Ballkan është i njohur për “prodhimin” e talenteve të shumtë që ka nxjerrë akademia e tij. Emra lojtarësh që dikur, por edhe sot, kanë bërë histori me “bigët” e Europës, ndërsa shumë të tjerë janë duke u aktivizuar në kampionatet më të forta në kontinentin tonë. Të tillë si Zvonimir Boban, braziliani i natyralizuar në kroat, Eduardo da Silva, Dario Simiç, Luka Modriç, Vedran Korluka, Boshko Balaban, Dejan Lovren, Mario Manxhukiç, Mateo Kovaçiç, Ivica Oliç, dhe së fundmi Marselo Brozoviç, e Alen Haliloviç që janë transferuar përkatësisht te Inter dhe Barcelona janë disa nga emrat e futbollistëve që kanë shkëlqyer me fanellën e bluve mbretëror të Dinamos së Zagrebit. Transferime këto që kanë shtuar arkat e klubit kroat në vitet e fundit.

THEMELIMI DHE HISTORIA– Dinamo Zagreb u themelua më 9 qershor 1945. Që në sezonin e dytë që mori pjesë në kampionatin e ish-Jugosllavisë më 1947-1948, klubi kroat fitoi titullin kampion. Dinamo e Zagrebit u nda nga liga e ish-Jugosllavisë më 1991. Që prej asaj kohe, klubi e ka ndërruar emrin tri herë, si fillim në HASK Gradjanski, Kroacia e Zagrebit dhe më pas iu rikthye emërtimit të vjetër, Dinamo Zagreb në fillim të viteve 2000. Në Kupën Europiane, klubi kroat pati sukses në sezonin 1960-1961, duke arritur në gjysmëfinale, ndërsa u mposht nga Fiorentina.

PJESËMARRJET NË EUROPË– Skuadra kroate numëron 18 prezenca në Ligën e Kampionëve, por nuk e ka kaluar asnjëherë fazën e grupeve të këtij kompeticioni. Në Europa League, Dinamo Zagreb ka qenë prezente në 22 edicione të këtij kompeticioni. Lojtari me shumë prezenca në kompeticionet Europiane për Dinamon e Zagrebit është Horge Samir Kruz Kampos (Samir) me 76 ndeshje, ndërsa golashënuesi më i mirë është Igor Cvitanoviç me 15 gola të realizuar në total. Humbja më e thellë në Ligën e Kampionëve për Dinamon e Zagrebit është ajo kundër Lionit, 1-7 më 7 dhjetor 2011. Një disfatë kjo e përfolur si një ndeshje e dyshimtë për fiksim rezultati, por që asnjëherë nuk u faktuan akuzat ndaj kroatëve. Fakti që francezëve iu duhej një fitore me golavarazh +6 për të kaluar grupin kundrejt Ajaksit bëri që sfida të përflitej shumë në mediet e huaja. Fitoja më e thellë në Ligën e Kampionëve për Dinamon e Zagrebit daton më 29 shtator 1999, kur mposhti në shtëpi 3-0 Strumin e Grazit.

FINANCAT- Buxheti vjetor i klubit kroat sezonin e shkuar shënoi një përgjysmim krahasuar me vitet e mëparshme, duke kapur shifrat e 11 milionë eurove, nga 20 të tilla deri në vitin 2013. President i klubit është Zdravko Mamiç, i kontestuar ashpër prej shumë sezonesh nga tifozët e Dinamos së Zagrebit, ndërsa më parë ka kryer edhe dënim me burg, për evazion fiskal, pasi kishte fshehur 15 milionë euro të ardhura. Fakti që ka të ardhura të shumta nga shitja e lojtarëve nuk e ka ndaluar klubin kroat të vendosë një çmim tavan për rrogat vjetore të lojtarëve, duke caktuar shifrën e 400 mijë eurove si më të lartën. Vlera totale e skuadrës së Dinamo Zagreb, sipas “transfermarkt” kap shifrën e 52.8 milionë eurove. Lojtarët e ekipit kroat, që kanë vlerën më të lartë në tregun e transferimeve janë dy, me të njëjtën shifër, 5 milion euro. Mesfushori Arijan Ademi, i cili është edhe kapiteni i ekipit dhe El Arbi Hillel Soudani.

TRAJNERI- Skuadra kroate drejtohet nga Zoran Mamiç që me të në bankinë Dinamo numëron 10 tituj kampionë radhazi, që nga sezoni 2005-2006. Me ekipin nga Zagrebi aktivizohet edhe mesfushori pogradecar, Endri Çekiçi.

TROFETË E FITUAR NGA DINAMO ZAGREB

KAMPIONATIN JUGOSLLAV (4 herë): 1947-1948, 1953-1954, 1957-1958, 1981-1982

KUPA E JUGOSLLAVISË (7 herë): 1951, 1959-1960, 1962-1963, 1964-1965, 1968-1969, 1979-1980,1982-1983

LIGA E PARË KROATE (17 herë): 1992-1993, 1995-1996, 1996-1997, 1997-1998, 1998-1999, 1999-2000, 2002-2003, 2005-2006, 2006-2007, 2007-2008, 2008-2009, 2009-2010, 2010-2011, 2011-2012, 2012-2013, 2013-2014, 2014-2015

KUPA E KROACISË: (13 herë): 1993-1994, 1995-1996, 1996-1997, 1997-1998, 2000-2001, 2001-2002, 2003-2004, 2006-2007, 2007-2008, 2008-2009, 2010-2011, 2011-2012, 2014-2015

SUPERKUPA E KROACISË: (5 herë): 2002, 2003, 2006, 2010, 2013

-Rivali i Dinamos në kampionat është Hajduku i Splitit

-Dinamo e Zagrebit eliminoi në fazën e dytë Molden me rezultatin e përgjithshëm 4-4, falë numrit të golave më shumë në fushë kundërshtare, 1-1 në Kroaci dhe 3-3 në Norvegji.

PRECEDENTI

Kur Dinamo Zagreb eliminonte Tiranën…me Bariç trajner

Për Dinamo Zagrebin, sfida kundër Skënderbeut nuk është e para në historinë e përballjeve në kompeticionet evropiane, që skuadra kroate ka me një klub shqiptar. Në sezonin 1996-1997, ekipi i drejtuar në atë kohë nga Oto Bariç (ish-trajneri i Shqipërisë në 2006-2007), do të vihej përballë Tiranës, dy sfida të vlefshme për Eliminatoret e Ligës së Kampionëve. Bardheblutë me në stol Sulejman Memën u mposhtën në ndeshjen e parë në Kroaci me rezultatin 0-4, ndërsa në Shqipëri, Dinamo e Zagreb fitoi sërish, këtë herë me shifrat 6-2. Tirana u eliminua pas humbjes me rezultatin e përgjithshëm 2-10./Sportekspres/

SHKARKO APP