Ja kur nis transporti publik dhe masat që janë marrë

Sipas kryeministrit Edi Rama, në fund të muajit maj do të ketë strategji të reja për transportin publik, i cili do të hapet pjesë-pjesë. Kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas, Kujtim Mema foli më shumë rreth kushteve, masave por dhe mënyrën se si do të operojë transporti publik. Ai tha se ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga qeveria se kur mund të nisë transporti publik por shtoi se po mendohet data 8 qershor, edhe pse asgjë nuk është ende e sigurt.

Teksa shpjegoi planin e masave të ndërmarra në mënyrë që transporti publik të mos sjellë rrezik për përhapje të mëtejshme të epidemisë, Mema tha se për këtë është duke u punuar nga ana e Ministrisë së Transportit dhe operatorët e transportit.

”Transporti do jetë me gjysmë kapaciteti, ndoshta në sedilje të kryqëzuara, apo do lejohen vetëm 2 familjarë në një sedilje, maskat, dorezat, dezinfektanti sigurisht. Ne kemi kohë që presim që të fillojmë punë pasi situata për ne ka qenë e vështirë. Para pak kohësh dolëm me një deklaratë ku thamë se transporti me gjysmë kapaciteti është i vështirë për ne pasi bileta është e lirë. I kërkuam qeverisë një rritje me 30 për qind të çmimit, gjë që nuk u pranua. U mendua se mund të ketë një kompensim të këtyre vendeve bosh në drejtim të taksave, tatimeve në mënyrë që të na i rimbursojnë, por për këtë jemi ende në negociata”.

SHKARKO APP