Ja përse e tërhoqi PD kandidatin e Këlcyrës

 

Përfaqësuesi ligjor i PD në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, Ivi Kaso, ka zbardhur sot motivin e vendimit të PD për tërheqjen e kandidatit të saj në Këlcyrë. Duke folur për arsyet ai tha se koalicioni opozitar ka patur si standard verifikimin e figurës së kandidatëve. Ai theksoi disa herë se në rast të refuzimit të kandidatit për të verifikuar të shkuarën e tij, koalicioni vendos ta tërheqë kandidatin. Sipas të dhënave nga burime jozyrtare të PD, opozita kërkoi çregjistrimin e kandidatit Gentjan Muhameti, pasi dyshohet se ai ishte përfshirë në ngjarje kriminale në Itali dhe kishte refuzuar të sqaronte rolin e tij. Por përfaqësuesi i kandidatit tha në KQZ se si kryetar i komunës Suk, në Përmet, Muhameti është verifikuar nga PD edhe në zgjedhjet e vitit 2011. Ai paraqiti në KQZ dëshminë e penalitetit nga shteti italian, ku rezulton se ai nuk ka probleme me drejtësinë e vendit fqinj. Sipas tij, origjinali i dëshmisë gjendet në PD. Ai tha se PD nuk jep rast konkret dhe se kërkesa e saj është e pabazuar. Vendimi i PD për ta tërhequr Muhametin nga gara u përshëndet menjëherë nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të dekriminalizimit të politikës dhe institucioneve. 

SHKARKO APP