Ja shqiptarja që do këndojë për Papa Françeskun

Shqiptaro-amerikania 15-vjeçare, Dea D. Elezaj do të jetë pjesë e korit të rinjve, që do të këndojnë në një prej veprimtarive të Papa Françeskut, i cili viziton këtë javë Nju Jorkun.

Mes aktiviteteve në programin dyditor është edhe një vizitë, të premten, në orën 11:30 të mëngjesit, në vendin ku ndodhi tragjedia e 11 shtatorit. Papa Françesku do të vizitojë memorialin dhe muzeun e ngritur për këtë në Qendrën Botërore të Tregtisë.

Këtu do të këndojë edhe Kori i Të rinjve të Nju Jorkut, ku bën pjesë edhe vajza e talentuar shqiptare Dea Deda Elezaj.

Dea është e njohur për shqiptarët në Nju Jork, pasi ka kënduar në Festivalin e Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” si dhe në festivalet e fëmijëve shqiptarë në SHBA. Ai është “produkt” i shkollës shqiptare të muzikës, të drejtuar prej kitaristit të Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore, Edi Xhani, njofton Zeri i Amerikës.

“Është një përgjegjësi e madhe dhe gjithashtu një punë e madhe për të treguar edhe rrënjët tona, familjen e kombin tonë. Nesër, unë do t'u them shokëve dhe shoqeve të mia, hej shikoni! Unë kam kënduar për Papën dhe vërtet kjo është një diçka e madhe, për mua dhe të gjithë shokët e shoqet e këtij kori”, thotë Dea.

Kori i Talenteve të Reja të Qytetit të Nju Jorkut, i cili ka 100 anëtarë, gjithashtu , ka kënduar për Papa Benedikti XVI në vizitën në vitin 2008 në Nju Jork Siti.

Vajza 15-vjeçare shqiptare është e njohur për shqiptarët e Amerikës, edhe për këndimin e dy hymneve kombëtare, të SHBA dhe Shqipërisë, në disa aktivitete të komunitetit.

 

SHKARKO APP