Ja si u kërcënua Mynyr Koni
Sipas burimeve të dritare.net, pranë Rektoratit të UT, kandidati për Rektor të Universitetit të Tiranës, është kërcënuar ditën e enjte, ndërsa dilte nga UT, nga njerëz që e kanë tërhequr në makinën e tyre dhe e kanë paralajmëruar, se do t’i rrëmbejnë djalin, nëse nuk tërhiqet nga gara për Rektor. Pas këtij momenti, profesori i frikësuar, është mbyllur në shtëpi bashkë me familjen e tij, duke qenë i pasigurt për jetën e djalit të tij adoleshent.
Në kushtet e presionit dhe tensionit, sipas burimeve të dritare.net, profesor Mynyr Koni, ditën e shtunë, dt 16 prill, lajmëroi Komisionin e Zgjedhjeve, për tërheqjen e tij nga gara, duke dorëzuar një letër dorëheqjeje, vetëm katër ditë para ditës së zgjedhjeve.
Kjo solli shumë habi në Komision dhe në Ministrinë e Arsimit dhe sipas informacioneve të dritare.net, nga Ministria e Arsimit, ka qenë vetë Ministrja që kontaktoi profesor Konin, për të sqaruar situatën.
Profesori, mesa duket ka treguar pozicionin në të cilin ndodhej dhe pasigurinë e tij për jetën.
Menjeherë është lajmëruar Kryeministri Rama dhe strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë marrë në mbrojtje z.Koni, ndërsa Kryeministri dhe Ministrja Nikolla, i kanë kërkuar të rikthehet në garë, gjë që profesori e ka bërë, duke tërhequr letrën e dorëheqjes.
Kjo është gjithçka sqarojnë burimet nga Rektorati dhe Ministria e Arsimit për dritare.net, ndërsa është duke u konsumuar në media, njëra prej ngjarjeve më të rënda në historinë e zgjedhjeve Universitare.
KOHA JONË SONDAZH

