Ja si u prit Papa në Kongresin amerikan: Fjalimi i ndërprerë nga 36 duartrokitje (Video)

 

Për herë të parë  një Papë në Capitol Hill, seli e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u ndërpre nga 36 duartrokitje të senatorëve e parlamentarëve të mbledhur për ta dëgjuar fjalimin e Atit të Shenjtë Françesku. Në shumë raste përfaqësuesit e Kongresit amerikan u ngritën në këmbë për të duartrokitur fragmentet e fjalimit që kanë vlerësuar më së shumti.

 Një duartrokitje e gjatë e priti Papën kur hyri në Kongres e po kështu edhe kur u largua. U duartrokitën edhe ato pjesë të forta të fjalimit si fragmenti kundër dënimit me vdekje e tregtisë së armëve. Ati i Shenjtë, në fjalimin e tij shprehu respektin ndaj Amerikës dhe vlerave të këtij vendi, preku temat më të mëdha që shqetësojnë botën sot dhe frymëzoi sallën ku ishin mbledhur dy dhomat e Kongresit me mesazhet e tij. Eshtë hera e parë që një Papë flet në një Kongres amerikan. “Jam mirënjohës që jam këtu në tokën e të lirëve dhe në atdheun e trimave”, tha ai. Dhe duartrokitjet shpërthyen në atë moment dhe gjatë gjithë fjalimit. Pas tij ishin ulul dy katolikë amerikanë: Nënpresidenti Joe Biden dhe kreu i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner. Papa Françesku e hapi fjalimin e tij historik në Kongres duke e përshkruar veten si një “bir i këtij kontinenti të madh” i bashkuar me Amerikën në një qëllim të përbashkët. Papa preku të gjitha çështjet që shqetësojnë sot botën. Ai shprehu shqetësimin që bota është sot në konflikt. Ati i Shenjtë foli me ndjeshmëri të lartë për çështjen e emigracionit, madje edhe me nota personale. “Të gjithë në kemi qenë dikur të huaj diku. E them këtë si bir imigrantësh”, tha ai duke iu referuar faktit që prindërit e tij ishin imigrantë italianë në Argjentinë. Duke folur për krizën e imigracionit në Evropë, si dhe për debatet në Shtetet e Bashkuara mbi emigracionin nga Amerika Latine, Papa Françesku u bëri thirrje ligjvënësve “për t’u përgjigjur në një mënyrë që është gjithmonë humane, e drejtë dhe vëllazërore.” Papa bëri thirrje që t’i jepet fund dënimit me vdekje në SHBA dhe në botë. Ai tha se çdo jetë është e shenjtë dhe shoqëria vetëm mund të përfitojë nga rehabilitimin i njerëzve të dënuar për krime.

SHKARKO APP