Ja vatrat e nxehta që mund ta ndezin botën në vitin 2015

Bloomberg në bazë të bisedave, intervistave dhe hulumtimeve me akademikë të ndryshëm, me ekonomistë, me studiues dhe investitorë nëpër botë, ka botuar “Guidën e pesimistëve të vitit 2015″. Ekspertët kanë numëruar 15 vatra që vitin e ardhshëm do të mund të jenë pika të ndarjeve të reja, konflikteve dhe luftërave midis vendeve dhe popujve.
Siria

Si një fokus i ri i mundshëm i konfliktit është përmendur Siria dhe ekziston rreziku i mundësisë së përhapjes së dhunës në Liban, Jordani e Turqi, nëse Shteti Islamik dhe regjimi presidentit Bashar al-Assad triumfojnë mbi forcat e moderuara në këtë vend.

Izraeli

Pas zgjedhjeve në muajin mars ekziston mundësia e kryengritjes së tretë palestineze kundër Izraelit, ku mund të vije deri tek skenari që trazirat kthehen në përleshje të dhunshme mes elementeve fundamentaliste në të dy anët. Grupet militante në vendet e tjera, të tilla si Arabia Saudite, Iraku, Siria, Egjipti, Jordania dhe të tjerët, mund të përfshihen shumë shpejt në këtë kaos.

Irani

Nëse Irani nuk e arrin një marrëveshje me Perëndimin mbi programin e tij bërthamor, pavarësisht paralajmërimeve mund të vazhdojë me zhvillimin e kapaciteteve, që do të përfshinte zhvillimin e armëve bërthamore. Nëse në këtë rast do të ketë ndërhyrje të Izraelit, e do të mund të nisë një luftë e re rajonale.

Bregu Perëndimor

Hamasi në çdo moment është në gjendje të fillojë nga e para sulmet në drejtim të Izraelit, nga territori i Bregut Perëndimor, të cilat mund të ndihmohen edhe nga rajoni i Gazës. Ndërkohë po rritet mbështetja për njohjen e Palestinës si shtet nga bashkësia ndërkombëtare. Kujtojmë se Suedia ka njohur pavarësinë e këtij shteti, ndërsa në këtë rrugë është edhe shteti francez.

Arabia Saudite

Mbreti Abdullah, 90-vjeçar, mund të vdes si pasojë e moshës së shtyrë. Pasardhësi i tij, Salman, është 79 vjeçar. Ndryshimi në fron do të vijë në një kohë të papërshtatshme, për shkak të sulmeve ajrore të Arabisë Saudite ndaj pozicioneve të Shtetit Islam, të cilat mund të çojnë në trazira.

Baltiku

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të mund të fillojë në mënyrë aktive t’i krijojë probleme NATO-s, dhe atë në Estoni e Letoni, ku kanë nisur të dalin në pah shqetësimet pakicave ruse në këto vende. Aeroplanët rusë që hyjnë në hapësirat ajrore të shteteve anëtarëve të Aleancës, tashmë janë duke treguar një gatishmëri për të testuar vendosmërinë e NATO-s.

Rusia/Ukraina

Separatistët në Ukrainë, me mbështetjen e Rusisë, mund të përparojnë në perëndim të Ukrainës, me qëllim të krijimit të një korridori për në Krime. Kjo do të shkaktonte sanksione më të forta ekonomike të SHBA-ve dhe BE-së, e cila mund të shtojnë forcimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën perëndimore.

Deti jugor i Kinës

Konfliktet e mundshme ndërmjet anijeve ushtarake kineze dhe peshkatarëve japonezë në Detin e Kinës Jugore dhe të forcave ajrore të të dy vendeve, do të mund të përfshiheshin në një luftë të gjatë ishullin e diskutueshëm të Senkakut. Përshkallëzimi i konfliktit në luftë do të fuste edhe aleatët, ndërsa atje do të ketë rritje të tensioneve nacionaliste.

Nigeria

Ekstremistët e grupit islamik Boko Haram, mund të merrnin nën kontroll pushtetin shtetëror në Nigeri. Tashmë ky grup ka nën kontroll disa zona të caktuara të këtij vendi. Që nga prilli, Nigeria është duke përjetuar një shpërthim të vërtetë të dhunës, ku Boko Haram kryen herë pas here sulme dhe rrëmbime.

Afganistan/Pakistan

Militantët talebanë në Pakistan dhe në Afganistan mund të lidhen me Shtetin Islam dhe kështu do të mund vënin nën presion Kabulin dhe Islamabadin, sidomos pas zvogëlimit të numrit të trupave amerikane në këtë zonë.

India/Pakistan

Sulmet e mundshme terroriste, të llojit që u realizuan në vitin 2008 në Indi, kur një grup terrorist nga Pakistani sulmoi hotele dhe stacionin e trenit. Partia e kryeministrit Narendra Modi, do të jetë e detyruar të hakmerret ashpër, gjë që lehtë mund të dërgojnë në një krizë në marrëdhëniet midis dy fqinjëve “bërthamor”.

Koreja e Veriut

Nëndetësja e Koresë së Veriut do të mund të fundos anijet e Koresë së Jugut, siç ndodhi në vitin 2010, duke justifikuar aktin si një përpjekje spiunazhi. Kjo do të shtyjë Korenë e Jugut të kundërpërgjigjet, gjë që do të dëmtonte më tej marrëdhëniet tashmë të këqija mes dy vendeve.

Arktiku

Mund të rriten tensionet mes Rusisë, SHBA-ve, Danimarkës, Norvegjisë dhe Kanadasë mbi të drejtat e burimeve natyrore të Arktikut, e cila gjë mund të dërgojë në një konfrontim të hapur në det. Ambiciet ruse në Arktik për disa vende janë “kokëdhembje”, pasi që edhe ato duan të jenë të pranishme në këtë rajon, ndërsa aneksimi rus i Krimesë ka shfaqur edhe më tej planet e Moskës zyrtare.

Iraku

Militantët mund të fillojnë një luftë sektare mes shiitëve dhe sunive, e cila do të dëmtonte më tej prodhimin e naftës, gjë që do të shtynte SHBA-të të hynin sërish në këtë konflikt.

Greqia

Qeveria greke mund të bjerë, e mund të rezultojë me rritjen e forcave anti-evropiane, të udhëhequra nga Alexis Tsipras. Një ndryshim i tillë mund të dërgojë një krizë të re në eurozonë. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, më parë paralajmëroi ashpër grekët, që mund të hasin në probleme të mëdha nëse votojnë “gabimisht” dhe nëse Syriza, partia e kryeministrit të tanishëm grek, Alexis Tsipras, fiton në zgjedhje. Tsipras e refuzoi këtë paralajmërim dhe theksoi se partnerët evropianë do të ndryshojnë mendjen e tyre kur qeverinë do ta udhëheq fuqishëm partia e tij.

SHKARKO APP