Jahaj: Diskot verore janë më të goditura nga vendimi i qeverisë
Qeveria vendosi të hënën mbylljen e klubeve të natës, diskove, lounge bar dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre. Enri Jahaj nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve, thotë se i gjithë sektori është në një situatë kritike, por theksoi se nga ky akt normativ goditen kryesisht diskot verore.
“Klubet e natës dhe diskot ishin të mbyllura dhe vazhdojnë të jenë. Më të goditura janë diskot verore. Kanë bërë investime dhe prisnin këtë sezon të cunguar; tashmë i bie që të mos hapen dhe penalizohen. Restorantet po punojnë me 60 për qind nën kapacitetin, sepse nuk ka njerëz që të shkojnë dhe të punojnë në restorante. Edhe baret janë në një situatë kritike, i gjithë sektori është në një situatë kritike”.
Zgjidhja sipas tij është dialogu, ndërsa shtoi se përgjegjshmëria e njerëzve do të luante një rol thelbësor në parandalimin e virusit.