Jaka: Politika nuk e ka trajtuar asnjëherë sipërmarrjen si pjesë të debatit për zhvillimin ekonomik
I ftuar në emisionin Ekopolitikë nga gazetari Besart Kadia në RTV Ora, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka, tha se në 30 vjet, politika nuk e ka trajtuar sipërmarrjen si pjesë të debatit për zhvillimin ekonomik.
Nikolin Jaka: ”Sot regjistri kombëtar i bizneseve ka aktivë të regjistraur 123 mijë anëtarë, operatorë tregtarë që operojnë në Shqipëri. Në QKB janë të regjistruar 173 mijë aktive ku ndër to 123 mijë janë aktive. Nga këto, 45% e bizneseve aktive janë në qarkun e Tiranës, pra 57 mijë sipërmarrje të regjistruar në Tiranë. Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri si struktura përfaqësimi të sipërmarrjes private, datojnë që në 1994.”
”Është një ligj i veçantë i cili i organizon Dhomat e Tregtisë në krahasim me shoqatat e tjera që përfaqësojnë grupe të caktuara dhe specifike të interesave të sipërmarrjes private. Ne kemi 30 vjet që klasa politike shqiptare nuk e ka trajtuar asnjëherë sipërmarrjen private dhe përfaqësuesit e tyre duke përfshirë edhe Dhomat e Tregtisë, si palë e debatit dhe e dialogut për të procesuar zhvillimin ekonomik.”