”Jam edhe nënë e dy vajzave”, Vokshi: Në disa shkolla mungon uji i rrjedhshëm

Pak ditë na ndajnë nga shtatori dhe nëse do vendoset për t’i hapur shkollat dhe nxënësit të shkojnë në klasa, atëherë detyra që del është siguria sa më e madhe për fëmijët. Vula përfundimtare është e Task-Forcës. Opozita mendon se shkollat duhet të hapen, por sipas tyre asgjë nuk është menduar në detaje. Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi, e cila ka qenë aktive për këtë temë gjatë dy ditëve të fundit, thotë se deri sot nuk ka një udhëzues.

”Ne kemi shprehur shqetësimet tona në lidhje me opsionin që ministritë përkatëse, në konsultim edhe me këshillin teknik, do të përcaktonte. Ne nuk kemi edhe sot një opsion të qartë të zgjedhur. Dje nga ministrat u përsërit si dita e parë e shkollës 14 shtator, por përtej kësaj nuk ka një udhëzues të detajuar. Kosova ka prej javësh një udhëzues të detajuar, një plan masash, një buxhet shtesë. Ne kemi kërkuar që të punohet mbi secilin variant që do të përzgjidhet. Nuk po kundërshtojmë për të bërë politik, pasi unë jam edhe nënë e dy vajzave. Përtej politikës kam shumë herë më të rëndësishëm shëndetin e fëmijëve dhe kështu është për çdo prind”,- tha në ”A2cnn”.

Ajo theksoi se ka shkolla që nuk kanë ujë të rrjedhshëm, nuk ka një protokoll sigurie dhe këto duhet të plotësohen menjëherë. ”Këtu bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe ne që në fillim kemi dhënë shumë alternativa, i kemi dhënë plane qeverisë pa pasur nevojë për kredite. Tani, ne i themi qeverisë të punojë mbi të treja opsionet e përmendura. Shkollat nuk kanë ujë të rrjedhshëm, nuk ka një protokoll sigurie. Para se të hapin dyert, shkollat duhet të plotësojnë kushtet higjienosanitare. Si prind, unë i kërkoj qeverisë të sigurojë çdo mësues që ka marrë të gjitha masat në çdo shkollë, në mënyrë që asnjë fëmije dhe asnjë mësuesi t’u cenohet shëndeti”.

SHKARKO APP