Japonia mbështet krijimin e shërbimit me një ndalesë në Lushnje për fermerët
Në Lushnjë është krijuar një qendër e asistencës së agro-biznesit, për t’iu ardhur në ndihmë fermerëve shqiptarë të marrin shërbime në një sportel të vetëm, pa asnjë kosto. Ministria e Financave dhe të Ekonomisë në bashkëpunim me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) po mbështesin rritjen e shkallës së përfshirjes financiare në Shqipëri, nëpërmjet zbatimit të Projektit të Bashkëpunimit Teknik, “Projekti i Përfshirjes Financiare për Fermat e Vogla Familjare”, pjesë e së cilës është edhe krijimi i qendrës së asistencës së agro-biznesit, (ABA).
Në ceremoninë e lançimit zyrtar të Qendrës ABA, në Lushnjë morën pjesë zv/ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Besart Kadia, Ambasadori i Japonisë ne Shqipëri, Takada, përfaqësues i Zyrës së JICA për Ballkanin, Takeichi dhe të ftuartë tjerë. Kadia gjatë fjalës së tij vuri në dukje, bashkëpunimin e hershëm mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj Japoneze, ndërsa theksoi se ndër vite, është ndjerë bashkëpunimi ekonomik me Qeverinë Japoneze nëpërmjet ndihmave dhe kredive, granteve dhe bashkëpunimit teknik, ku prioritar në fokus të mbështetjes ka qenë sektori i bujqësisë.
Ambasadori i Japonisë në Shqiperi, Takada u shpreh se kjo qendër do të ndihmojë në shpërndarjen e informacionit të dobishëm, edukim mbi tema të ndryshme dhe do të sigurojë një mundësi për qasje në mjetet thelbësore për lehtësimin e aktiviteteve ekonomike të pronarëve të vegjël.
“Në kontekstin e situatës së pandemisë që ka prekur gjithë botën, Qendra ABA përfaqëson një mjet të dobishëm për adresimin e disa problematikave të rëndësishme të shfaqura këto kohët e fundit, të tilla si kufizimi i lëvizshmërisë dhe aksesi fizik në tregje dhe produkte, bashkëpunimi mes sipërmarrësve etj, vështrirësi të cilat demtuan ekonomitë e vogla në Shqipëri”.