Java Çame mbyllet në Ulqin

 

-Pas disa aktiviteteve në qytetet kryesore të vendit dhe kulmimit me homazhet e përvitshme në Varrezat Monumentale të Shqiptarëve të Çamërisë në Kllogjer të Sarandës, Java Çame u përmbyll në qytetin e Ulqinit me një simpozium shkencor të organizuar nga disa shoqata atdhetare, përfshi edhe Shoqatën Çamëria.

Në këtë simpozium kumtuan historianë, etnologë, gjeografë dhe studiues të tjerë të njohur në fusha të ndryshme, përfshi Prof. Fatmira Ramën, Prof. Selman Shemen, Dr. Abaz Hadon, etj. Ata vendosën në pah fakte të reja historike mbi genocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë, si edhe pasurinë e vlerave kulturore e kombëtare të kësaj treve.
Kryetari i Shoqatës Çamëria, Ardian Tana vlerësoi kohezionin që ekziston në kombin shqiptar për të çuar drejt zgjidhjes çështjen çame, si një prej çështjeve më të paprekurave të çështjes sonë kombëtare.

“Jam këtu për të bashkëndarë emocione të rëndësishme që kanë të bëjnë me përkujtimin e një prej ngjarjeve më të dhimbshme të historisë sonë kombëtare, me spastrimin e ndodhur në Çamëri. Shqiptarët në jug dhe në veri kanë vuajtur të njëjtin fat, ndaj ne e dimë se çfarë kemi hequr dhe e kuptojmë njëri tjetrin. Unë ndodhem në Ulqin dhe më duket se jam në një nga qytetet e Çamërisë sepse këtu gjej ngrohtësi dhe mbështetje dhe sikurse në çdo trevë shqiptare kjo mbështetje rritet vazhdimisht. PDIU dhe Shoqata Çamëria i kanë dhënë hov çështjes çame,  sepse çështja çame është një çështje e drejtë, me ne është i gjithë kombi shqiptar, me ne është e drejta dhe ne do ta realizojmë qëllimin tonë”, tha Tana.

Gjatë aktivitetit u prezantuan dokumentare historike, materiale fotografike nga Çamëria, figurat kryesore në histori, si edhe pasuria kulturore e kësaj treve. Java Çame zhvillohet çdo vit, përreth datës 27 qershor, që është pikënisja e genocidit ndaj Shqiptarëve të Çamërisë nga forcat shoviniste të Napoleon Zervës dhe që njihet me ligj nga shteti shqiptar si ditë përkujtimore. 

SHKARKO APP