Java Kulturore Ndërkombëtare Hungareze mbërrin në Elbasan

Në ambientet e Muzeut Etnografik të Elbasanit është çelur Java Kulturore Ndërkombëtare Hungareze, një ngjarje që sjell për herë të parë në këtë qytet një shije autentike të kulturës dhe artit hungarez. Aktiviteti filloi me një konferencë për shtyp, ku morën pjesë kryetari i bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, ambasadori i Hungarisë në Shqipëri, shkëlqesia e tij Dr. Adam Lovassy, deputetë të Elbasanit, dhe kryetarja e Këshillit të Qarkut, znj. Ermira Urupi.

Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë, z. Llatja, theksoi rëndësinë e shkëmbimeve kulturore jo vetëm me Hungarinë, por edhe me shtete dhe qytete të tjera. Ai e përmendi Elbasanin si një urë komunikimi dhe bashkimi, duke e krahasuar me Via Egnatia, rrugën legjendare që ka lidhur kultura dhe qytetërime të ndryshme.

Ambasadori Dr. Adam Lovassy shprehu entuziazmin për ngjarjen në Elbasan, duke nënvizuar se “Shqipëria dhe Hungaria ndajnë shumë vlera të përbashkëta dhe një marrëdhënie të thellë e të veçantë. Edhe pse ndodhemi 1000 kilometra larg njëri-tjetrit, kemi shumë të përbashkëta. Jemi krenarë që po organizojmë për herë të tretë Javën e Kulturës Hungareze në Shqipëri dhe këtë vit, për herë të parë, po e sjellim edhe në Elbasan.”

Deputetja Evia Kushi vuri në dukje marrëdhëniet mbi 100-vjeçare mes dy vendeve dhe përmendi mbështetjen e Hungarisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në sektorin e arsimit. Ajo theksoi se qeveria hungareze ofron bursa për të rinjtë shqiptarë që të studiojnë në Budapest, nga niveli bachelor deri në doktoraturë.

Java e Kulturës Hungareze do të vazhdojë deri më 6 shtator dhe do të ofrojë një gamë të pasur aktivitetesh që përfshijnë ekspozita, shfaqje artistike dhe performanca folklorike. Në Muzeun Etnografik, qytetarët e Elbasanit dhe turistët kanë pasur mundësinë të shijojnë pikturat e artistit digjital hungarez Peter Vanicsek.

SHKARKO APP