”Je e mbrojtur, hajdute”! Xhaçka i përgjigjet Nokës: Mu trash lëkura nga shpikjet e tyre, Muli qan çdo natë…
Kjo e enjte e ka gjetur seancën plenare në Kuvend të përqëndruar tek një pikë, mandati i deputetes së PS-së, Olta Xhaçka, për të cilën opozita kërkon që ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese nëse ka ndikuar për bizneset e burrit të saj. Një debat të drejtëpërdrejtë Xhaçka e pati edhe me sekretarin e përgjithshëm të Rithemelimit, deputetin Flamur Noka.
Noka: Ju keni moto vjedhjen. Kur keni ardhur në pushtet keni thënë do luftojmë pandëshkueshmërinë. Pandëshkueshmërinë Edi Rama dhe Rilindja e kanë kthyer në monument kulture, që mbrohet nga shteti. Edhe babëzia është monument që mbrohet nga shteti. Një nga zotimet e PD është se do t’u marrim çdo para të vjedhur dhe do t’ua kthejmë shqiptarëve, drejtësia nuk po vepron.
Xhaçka: Është qesharake kur Muli merr monopolin e integritetit në këtë sallë se gjithë të tjerët janë hajdutë dhe është argëtuese që pishtarin e merr Muli që qan çdo natë poshtë ballkonit, se sa e ligë është drejtësia kur heton këta dhe se sa e mirë kur na drejton ne. Mu trash lëkura nga shpikjet e tyre. Bën mirë ti drejtohet drejtësisë dhe të sqarojë akuzat që ia ka bërë kryetari i grupit të tij parlamentar. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e saj, shkoni sqaroni akuzat që janë drejtuar ndaj jush.
Noka: Zonjë, unë kam qenë ministër, ti ministre. I keni letrat e mija, Saimir Tahiri me Zamir Shtyllën kanë hetuar edhe ku kam shkelur unë. Asnjë cent nuk i kam vjedhur shqiptarëve prandaj jam në opozitë. Jam krenar për këtë. Unë drejtoj gishtin se Berisha që nuk ka vjedhur asnjë cent mbahet i burgosur, dhe ju që jeni këtu jo e hetuar dhe e mbrojtur. Kjo është diferenca mes nesh. Është ndryshim i madh i moralit dhe qasjes njerëzore. Jam gati të hetohem që tani.