“Jemi lodhur”, Pipero: Mjekët e familjes të përgatitur për pacientët me COVID-19
Mjeku infeksionit Pëllumb Pipero në studion e “ABC News” foli për përhapjen e koronavirusit në vend dhe gjendjen në spitale.
Pipero gjatë intervistës me gazetarin Endri Xhafo u shpreh se ende nuk ka protokolle të përcaktuara për këtë sëmundje.
Po ashtu ai tha se tashmë edhe mjekët e familjes janë në dispozicion të pacientëve, ndërsa sqaroi se ata janë trajtuar nga Urgjenca Kombëtare.
Nxitimi për të dhënë antibiotik pa pasur klinik është i gabuar. Dua të them që mjeku i familjes është trajnuar jo vetëm nga Urgjenca Kombëtare, por edhe nga ne. Janë bërë disa trajnime dhe di të them se i kemi trajnuar dhe ky është një nga avantazhet që ka mjeku i familjes në përballjen me COVID-19. Nuk duhet të nxitohemi, skema për tu përdorur ndryshon sipas fazave të sëmundjes. Ata që kanë nevojë për trajtim u kemi dhënë skema të duhura. Nëse ka vështirësi në frymëmarrje komunikohet me 127″, u shpreh mjeku infeksionist.
Sakaq Pipero theksoi se prej rreth 4 apo 5 muaj spitali i sëmundje Infektive ka një ngarkesë shumë më të madhe dhe se stafi mjekësor është me të vërtetë i lodhur. Por pavarësisht kësaj shtoi ai, do vijojë puna për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, ndërsa u bëri apel që të sensibilizohen sa i përket mbajtjes së maskës.
Pjesë nga biseda në studio:
Sot janë 2735 persona aktiv në Shqipëri dhe 112 pacientë që e kanë çuar infeksionin në një shkallë tjetër. 2613 persona janë në shtëpi. Kush i trajton?
Pipero: Së paku duhet të ketë dhe 2-3 herë më shumë dhe për shkak të mungesës së kontakteve të cilët nuk i identifikojmë dot. Këto raste potencialisht mund ti konsiderojmë si kandidat për spital. Mjekët e familjes në koordinim me epidemiologët bëjnë të pamundurën për të menaxhuar situatën.
Kush i ka trajnuar mjekët e familjes për mënyrën se si duhet të sillen me pacientët pasi rasti-rastit nuk i ngjan dhe nuk ka një trajtim?
Pipero: Pjesa më e madhe nuk kanë nevojë për mjekim në shtëpi. Nxitimi për të dhënë antibiotik pa pasur klinik është i gabuar. Dua të them që mjeku i familjes është trajnuar jo vetëm nga Urgjenca Kombëtare, por edhe nga ne. Janë bërë disa trajnime dhe di të them se i kemi trajnuar dhe ky është një nga avantazhet që ka mjeku i familjes në përballjen me COVID-19.
I keni dhënë një listë ilaçesh që duhet të rekomandojnë?
Pipero: Sqarova se nuk duhet të nxitohemi, skema për tu përdorur ndryshon sipas fazave të sëmundjes. Ata që kanë nevojë për trajtim u kemi dhënë skema të duhura. Nëse ka vështirësi në frymëmarrje komunikohet me 127.
Ja dilni të përballoni edhe mjekët e familjes që ju marrin në telefon përveç punës në spital, pacientëve apo edhe jetës familjare?
Pipero: E them me sinqeritet se jemi të lodhur. Komunikimi është pothuajse gjatë gjithë ditës si me qytetarët si me pacientët. Dita jonë e punës është totalisht e ngarkuar. U bë pothuajse 4-5 muaj që spitali i sëmundje infektive ka një ngarkesë shumë më të madhe. Më parë kemi pasur shtrime të larta por kanë qenë edhe familjarë që iu vinin në ndihmë të afërmve të tyre, por me këtë sëmundje të gjithë ngarkesën e përballon personeli shëndetësor.
Ju jeni kontaktuar nga njerëz që kanë nevojë për konsulentë dhe që mjeku i familjes nuk i përballon dot?
Pipero: Asnjë nuk më ka thënë që mjeku u familjes nuk është përgjigjur. Angazhimi jonë është në maksimum. Menaxhimi i pandemisë ka shumë vend për tu përmirësuar. Në këto situatë pandemie duhet të pyeten më shumë specialistët.
/abcnews.al/