“Jemi përgatitur për skenarin më të keq”, rektori i UMT Gjata: Njerëzit të respektojnë vetë-karantinimin
Rektori i Universitetit Mjekësor të Tiranës Arben Gjata i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se stafi mjekësor në Shqipëri është përgatitur për skenarin më të keq të mundshëm.
Gjata theksoi se njerëzit duhet të kuptojnë se këta masa ekstreme duhen respektuar, pasi vlen për të mirën e shoqërisë dhe të kombit.
“Jemi përgatitur edhe për skenarin më të keq. Nipi im më shkruan se të gjithë në Itali jemi kthyer në ndihmës reanimator, nuk ka më mjekë që ndahen se cfarë pune do të bëjnë. Ai tha se jemi kthyer të gjithë në mjek që trajtojmë covidin. Unë kam qenë gjithmonë për masa edhe më ekstreme nga ato që janë marrë. Gjithcka është në dorë të qytetarëve dhe qytetarët duhet ta kuptojnë se këto masa po merren për ta. Mirë është që të njerëzit të dalin vetëm, pasi duhet distanca sociale këta ditë”, tha Gjata.
Arben Gjata nënvizoi se ka parë njerëz që grumbullohen në grupe – grupe nëpër Tiranë a Shqipëri dhe se kjo gjë nuk duhet që të ndodhë.
“Mjekët janë miq, shokë të vjetër dhe të shtrenjtë të mi. Unë jam i bindur se mjekët janë të përgatitur, sepse kanë kaluar shumë sëmundje, si HIV AIDS, kanë kaluar shumë sprova. Ne nuk e dimë sa mjekë do na duhen për këtë situatë sepse nuk dimë se në cfarë gjendje jemi. Por ne jemi gati t’i përgjigjemi shpërthimit të koronavirusit. Janë 9 të prekur nga personeli shëndetësor në Shqipëri. Spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet besoj në covid. Unë besoj se ky rast do të ketë një ndërtim marrëdhënie besimi mes mjekut dhe publikut. Sfidën do ta fitojmë me sa më pak dhimbje”, deklaroi ai.