“Jemi të gjithë të shqetësuar”, kryebashkiaku i San Giustinos tregon si e njeh biznesmenin e zhdukur në Shqipëri

Kryetari i bashkisë San Giustino në provincën e Perugias, në rajonin e Umbrias, vendbanimi i shtetasi italian Davide Pecorelli i zhdukur prej disa ditësh në Shqipëri, e automjeti i të cilit u gjet i zhdukur në veri të vendit, ka folur ekskluzivisht për Rtv Ora.

Paolo Fratini tregon se familjarët por edhe miqtë dhe gjithë komuniteti që kishte njohje me të është i shqetësuar fatin e Davide, një biznesmen mjaft i njohur në zonë.

Policia shqiptare ka nisur hetimet në lidhje me zhdukjen në Shqipëri të ish-arbitrit dhe sipërmarrësit italian Davide Pecorelli, nga i cili nuk ka asnjë gjurmë që prej datës 6 janar 2021.

Biznesmeni italian, 45 vjeç, kishte ardhur në Shqipëri për një udhëtim në disa zona të vendit ku po shikonte mundësinë e zhvillimit të bizneseve por makina e tij e marrë me qira në aeroport është gjetur e djegur me disa sende personale brenda.

Sipas policisë, automjeti u gjet plotësisht i djegur natën midis 7 dhe 8 janarit në zonën e Pukës, në veri të Shqipërisë, në një zonë malore.

Intervista e plotë e kryebashkiakut per Rtv Ora

Alba Kepi: Pak orë më parë ju keni apeluar preokupimin tuaj si qytetar i parë i kësaj komune por dhe si banor i saj për zhdukjen misterioze të Davide Pecorellit, qytetari italian që prej disa ditësh ka humbur gjurmët e tij në Shqipëri.

Paolo Fratini: I gjithë komuniteti i qytetit tonë është në preokupim për zhdukjen e Davide Pecorelli. Ai është një person i dashur për të gjithë banorët e zonës e për qytezën tonë. U jemi pranë familjarvëve të tij. Unë jam në kontakt me forcat e rendit që po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarje, për gjetjen e Davides. E informacionet që kam janë të rezervuar nga autoritetet por them se të gjitha pistat janë të hapura në këtë moment e policia italiane është në kontakt e po punon ngushtë me forcat e policisë shqiptare.

Alba Kepi: Ju më konfirmoni se Davide është rezident në qytezën tuaj bashkë me partneren e tij shqiptare?

Paolo Fratini: Po Davide është rezident në komunën tonë, ku  jeton bashkë me partneren shqiptare e fëmijën e tyre. Por është dhe një sipërmarrës e është gjithnjë në lëvizje për punë. Ai është sipërmarrrës i njohur në territorin tonë, është pronar i disa bizneseve në komunën San Giustino por dhe në komunat përreth. Operon kryesisht në sektorin e parukerisë, bukurisë së trupit.  Ka nje punishte prodhimi produktesh për flokët, si dhe një biznes në fushën e ndërtimit. Është gjithashtu një person mjaft aktiv e i njohur dhe në fushën e sportit, pra një person i vlerësuar për komunitetin tonë.

Alba Kepi: Davide Pecorelli është babai i katër fëmijëve apo jo?

Paolo Fratini: Davide është baba i katër fëmijëve. Tre fëmijë i ka nga martesa e tij e parë me një bashkëqytetare nga një komunë ngjitur me San Giustino. Por janë të divorcuar prej vitesh. Është bërë baba për herë të katër vetëm pak muaj më parë, nga partnerja e tij shqiptare. Vogëlushi i tyre sot është rreth 10 muajsh.

Alba Kepi: Sektori i aktivitetit ku operon Davide është aktualisht në krizë nga kjo pandemi që ka përfshirë vendin? A keni më shumë informacion mbi vështirësitë ekonomike që ai ka pasur së fundmi?

Paolo Fratini: Davide Pecorelli është një sipërmarrës që aktualisht ndodhet në vështirësi me bizneset e tij. Vështirësi të provokuara nga pandemia e nga kriza ekonomike që ka përfshirë vendin. Mund të them se si për Daviden si dhe për sipërmarrës të tjerë kohët e fundit ka pasur momente të vështira ekonomike.

Alba Kepi: Ju jeni në kontakt dhe me miqtë e familjarët e tij në San Giustink. Si e komentojnë?

Paolo Fratini: Sidomos miqtë e tij të botës së sportit e familjarët në veçanti janë shumë të preokupuar për Daviden, e kërkojnë të dinë më shumë e jam në kontakt me ta. Ato informacione që kam janë të rezervuara e nuk mund të përcjell asgjë konkrete për ta.

Alba Kepi: E ka ndonjë informacion të ri deri më tani mbi ngjarjen?

Paolo Fratini: Deri më sot nuk ka asgjë të re mbi ngjarjen e jemi në pritje që forcat e rendit të mund të zbardhin sa më shpejt ngjarjen me urimin që Davide të jetë gjallë e shëndetshëm.

SHKARKO APP