Jeni në izolim? 6 këshilla për të punuar në mënyrë të suksesshme nga shtëpia

Shumë biznese po u kërkojnë punonjësve që të punojnë nga shtëpia, si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19, por a mund të jenë ata po njësoj produktivë?

Ka disa strategji për të punuar në mënyrë të suksesshme nga shtëpia.

“Duhet të punoj nga shtëpia, por si mund t’ia dal me sukses”? Pyetje të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Të punuarit nga shtëpia ka shënuar rritje në vitet e fundit në shumë organizata, nga autoritetet lokale te kompanitë shumëvjeçare e deri tek startup-et e reja, të cilat i nxisin punonjësit që të punojnë nga shtëpia. Ne ende nuk e dimë ndikimin e saktë të koronavirusit në procesin e të punuarit. Por duke mbajtur një numër të madh punonjësish larg nga vendet e punës, ata do të fillojnë të mësohen me këtë praktikë dhe pasi kjo situatë të ketë kaluar, do të jetë i vështirë kthimi në normalitet.

Nisa të punoj nga shtëpia 20 vjet më parë, shkruan Ian Sanders, nga kompania me të njëjtin emër. Ambienti ku nisa të punoja në fillim ishte shumë i thjeshtë, me një tryezë të cilën e kisha blerë tek IKEA dhe me një linjë interneti, sepse pa këtë të fundit e kisha të pamundur të punoja. Në ditët e para, zhvillova një takim me një kompani në Londër dhe, kur më pyeti menaxheri se ku ndodhesha, i thashë “në zyrën time nga shtëpia”. Më duhet t’ia shpjegoja paraprakisht se takimin do ta zhvilloja nga zyra që ndodhej në shtëpinë time dhe jo nga departamenti i qeverisë. Nuk mund ta mohoj se të punuarit nga shtëpia, në fillimet e tij nuk ka qenë i lehtë. Mbi të gjitha sepse më duhej të punoja vetëm, ndërsa më parë isha mësuar të punoja në një kompani, kultura e së cilës ka qenë shumë sociale.

Por, gjatë kësaj periudhe 20-vjeçare të të punuarit nga shtëpia, kam mësuar të jem produktive, krijuese dhe energjike në po të njëjtën mënyrë siç kam qenë edhe kur punoja nga zyra. Mësimi i parë që kam nxjerrë në këtë periudhë ka qenë fikja e televizorit në kohën kur punoja. Me kalimin e viteve dhe kur filloi të përdorej gjerësisht WI-FI, kuptova se nuk kisha pse të punoja përherë nga shtëpia, mund ta bëja këtë edhe nga një kafene apo një ambient tjetër. Ky ishte njëkohësisht edhe zbulimi më i rëndësishëm për mua.

Tani që kam mundësinë të zgjedh vetë mjedisin se ku të punoj, gjatë një jave pune, punoj në shtëpi vetëm dy ditë. Ndoshta ju nuk do të merrni asnjë udhëzim në momentin që filloni punën nga shtëpia, por sipas përvojës sime, kur nisa të punoj nga shtëpia në vitin 2000, ju do të zbuloni çdo ditë nga një gjë të re. Lexoni gjashtë këshilla që do t’jua lehtësojnë këtë proces:

  1. Numri 1, i rregullave të të punuarit nga shtëpia është që ju të dilni nga ambientet e shtëpisë në një moment që ju do ta konsideroni si më të përshtatshëm. Sepse, edhe nëse do të ishit duke punuar në zyrë, gjatë orarit të drekës ju do të lëviznit nga zyra. Të njëjtën gjë duhet ta bëni edhe kur punoni nga shtëpia, dilni për disa minuta shëtitje në ajër të pastër apo edhe për të pirë një kafe.
    2. Mos punoni në shtëpi. Ndryshojeni ambientin e punës brenda shtëpisë. Një ditë punoni në kuzhinë, ditën tjetër në sallon dhe idealja do të ishte nëse do të kishit ndonjë ambient të hapur. Zhvendosja e të punuarit në një ambient të ri edhe brenda shtëpisë, u jep punonjësve një perspektivë të re dhe mund të ndikojë në rritjen e energjive dhe produktivitetit tuaj.

3. Vendosni disa kufij. Të punuarit nga shtëpia nuk do të thotë që ju ta kaloni të gjithë ditën vetëm duke punuar, sepse nuk duhet kurrsesi t’i hyni në pjesë edhe kohës së aktiviteteve tuaja personale. Sepse ka edhe nga ata punonjës që kanë tavolinë pune edhe në dhomën e tyre të gjumit dhe e kanë të pamundur të shkëputen prej saj. Për këtë arsye, ju duhet të vendosni disa kufij, si për shembull orari kur ju duhet të përfundoni punën dhe të mos rrini gjatë gjithë kohës përpara kompjuterit.
4. Mundohuni të jeni sa më të përqendruar dhe të shmangni të gjitha shpërqendrimet. Në shtëpi, ju keni televizorin, frigoriferin, mund të keni pjesëtarë të familjes të cilët do të duan të bisedojnë me ju, mbase mund të keni edhe kafshë shtëpiake, të cilat duan kujdesin dhe vëmendjen tuaj. Ju mund t’i bëni edhe të gjitha këto por jo gjatë procesit kur jeni duke punuar, ndoshta në momentin kur vendosni t’i jepni vetes pak kohë të lirë.

5. Mos shmangni tërësisht ndërveprimet sociale. Të punuarit nga shtëpia mund të jetë i vështirë, sepse është një proces ku jeni vetëm. Për këtë motiv, bëni ndonjë telefonatë apo video-telefonatë me ndonjë anëtar të skuadrës suaj, ku edhe mund të diskutoni mbi projekte të përbashkëta. Ose niseni ditën e punës duke pirë kafe në një lokal.

6. Askush më mirë sesa ju, nuk mund t’i dijë elementet që jua bëjnë sa më të lehtë procesin e punës, sidomos nga shtëpia. Është e rëndësishme të ndiheni sa më komod, sepse kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në produktivitetin tuaj./Monitor

SHKARKO APP