Jep dorëhiqjen gjyqtarja që firmosi “arrest shtëpie” për Tahirin

Dorëhiqet nga detyra, gjyqtarja e Krimeve të Rënda Liljana Baku. Me datë 2 dhjetor, gjykatësja e karrierës depozitoi zyrtarisht në Këshillin e Lartë Gjyqësor kërkesën ku shpjegon arsyet e largimit nga detyra. Burime të besuara i thane gazetares Klodiana Lala, se në letrën e dorëheqjes Baku sqaron se në të ardhmen do të angazhohet në një biznes privat e për këtë shkak s’mund të vijojë me karrierën në gjyqësor.

Këshilli pritet ta shqyrtojë kërkesën e saj në seancën plenare të datës 10 dhjetor, pak ditë përpara se të bëjë emërimin e përkohshëm të gjykatës së posaçme, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas ligjit, gjykatësja Baku automatikisht emërohej pranë gjykatës së posacme, pasi më herët kishte shprehur pëlqimin dhe kishte autorizuar autoritetet të kontrollonin periodikisht llogaritë bankare të saj dhe familjarëve, si dhe telekomunikimet vetjake.

Liljana Baku, është bërë pjesë e sistemit të drejtësisë, prej më shumë se 20 vitesh. Prej themelimit të saj, ajo ka ushtruar funksionin pranë gjykatës për Krime të Rënda, ku ka shqyrtuar mjaft dosje të vështira. Çështja më e fortë që ka shqyrtuar së fundmi, është ajo e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Në krye të herës, ajo vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë duke i bllokuar pasaportën Tahirit, e në këtë mënyrë edhe lëvizjen jashtë vendit. Vendimi i saj u rrrëzua nga Apeli, pavarësisht deklaratës së fortë që erdhi asokohe nga ambasadori amerikan Donald Lu, që shënjestronte hapur gjykatësit e shkallës së dytë dhe ngrinte dyshime të forta për përfshirjen e tyre në korrupsion. Pavarësisht kësaj, në maj të 2018, gjykatësja Baku firmosi masën e dytë për Tahirin, atë të arrestit shtëpiak. Por edhe kjo masë u shfuqizua dhjetë ditë më vonë nga Apeli.

SHKARKO APP