Jepuni eurot e premtuara djemve të Kombëtares së Futbollit!

 

Nga Nikoll LESI.

Kur Shqiperia u kualifikua direkt në Europian pas fitores me Armeninë, gjë e cila dërgoi Danimarkën në "ferr" me Suedinë,u bë festë e madhe kudo nëpër trojet shqiptare.  Në Tiranë Qeveria, Presidenti, krejt vendi ishte në festë. Kualifikimi na emocionoi të gjithëve. Ekipi kombëtar kishte bërë atë që nuk e kishte bërë krejt klasa politike për 25 vjet rrjesht, ia rriti emrin Shqipërisë, duke e futur ne Bashkimin Europian, para politikës. Dhe u bënë premtime të mëdha. FSHF garantoi 2 milionë euro shpërblim , kurse Kryeministri 1 milion euro. Pra gjithsejt 3 milionë euro shperblim për Kombëtaren. Atë ditë para ndeshjes me Armeninë ishim të gjithë gati të paguanim nga xhepi, sipas takatit, vetëm që djemtë e Kombëtares tonë të fitonin, ndërkohë që Danimarka rrinte me "vesh në krah" nga Armenia. Luteshim, të gjithë. Pas ndeshjes fluturuam nga lumturia. U bënë përgatitje për t'i pritur në Rinas. Bile ishim gati në qiell t'i përqafonim, pa u ulur në aeroport !

Tani kur lojtarët duhet të marrin eurot, që u takojnë, ata janë gjendur para një fakti se do të marrin 2 milionë eurot e FSHF, kurse qeveria nuk paguan. Kështu shprehen në FSHF. Por edhe të FSHF-së duan ca kohë!- shprehen futbollistët . Po pse ua vononi? Edi Rama kur i priti me kaq bujë si heronjë, pasi janë vertetë heronjë, duhet të urdherojë ministrinë e financave të paguaj. Një VKM dhe një firmë është.

E premtove?- Mbaje fjalën zoti Kryeministër!

Çka ndodhur? Lapsi i Shkullak-Bushatit shkruan se "paraditen e të dielës futbollistët e kombëtares e bojkotuan stërvitjen. Ata nuk e kanë marrë ende shpërblimin e premtuar nga FSHF në prag të ndeshjes me Armeninë në Jerevan. Në rast të fitores, që do të siguronte kualifikimin për në Euro 2016, do të merrnin 2 milionë euro. 1 milion të tjera iu premtua kombëtares nga kryeministri Rama, gjatë ngazëllimit që e pushtoi atë ditën e pritjes që i rezervoi ekipit kuqezi në kryeministri. 2 apo 3 milionë euro duhet të jetë shpërblimi? Sportal shkruan se futbollistët kanë kërkuar të marrin të gjithë shumën, atë të FSHF bashkë me atë të premtuar nga Rama. Kuqezinjtë janë befasuar kur presidenti i FSHF, Armando Duka u ka thënë që stafi po merrej me shpërndarjen e shpërblimit prej 2 milionë eurosh. Ata e kanë shprehur hapur pakënaqësinë dhe i kanë thënë presidentit Duka se shuma duhet të ishte 3 milionë, ashtu siç u ishte premtuar. Por në sqarimin e dhënë nga zyrtarët e FSHF është zbuluar një “truk” i shpërblimit të premtuar. Ai do të jetë vetëm 2 milionë, pasi kjo shumë përfshin edhe pjesën e premtuar nga kreu i qeverisë. FSHF e bëri publik vendimin për t’u dhënë 2 milionë euro shpërblim lojëtareve përpara ndeshjes me Armeninë. Ndërsa kryeministri foli për 1 milion euro të tjera në festimet e organizuara prej tij ditën e kthimit të kombëtares nga Jerevani, pas fjalimit që e titulloi “Fati është me ata që nuk dorëzohen”. Për këtë arsye lojëtarët kërkojnë shpërblimin prej 3 milionë eurosh. Zyrtarët e FSHF po përpiqen ta minimizojnë këtë çështje, e cila i ka kaluar kufinjtë e diskutimeve brenda familjes kuqezi. Nga qeveria nuk ka patur asnjë reagim. Ndërsa lojtarët duket se nuk do të dorëzohen përpara kësaj surprize të pakëndshme, me shpresën për ta patur sërish fatin në anën e tyre.Kësaj here betejën e kanë me FSHF dhe qeverinë. Shenjat e para se nuk do të dorëzohen i dhanë të dielën duke braktisur stërvitjen".

Kombëtarja e futbollit meriton jo 3 milionë euro, por sikur t'u jepnim 5 apo 10 milionë euro përsëri nuk janë shumë. Ata na kanë çuar në Francë, në Europë. Na gëzuan të gjithëve. Edhe sikur të organizohej ku çdo shqiptar të jepte nga 1 euro, prapë 3 milion euro do të bëheshin brenda ditës. Mos i zhgënjeni djemtë tanë-heronjë!

Ndaj jepuni eurot djemve të Kombëtares!

 

SHKARKO APP