Jeta luksoze e djalit që vrau babanë

Krimi brenda familjes shënon një tjetër viktimë në vendin tonë dhe kësaj radhe ngjarja është regjistruar në kryeqytet.

Policia njoftoi se rreth orës 21:30 ka mbetur i vrarë me armë të ftohtë, thikë, shtetasi Artur Kurti, 50 vjeç.

Nga të dhënat e para dyshohet se autor i kësaj vrasjeje është djali i tij Jurgeni dhe si bashkëpunëtor në këtë krim ka pasur edhe dajën.

Konflikti ka nisur për shkak se Kurti ishte në procesin e divorcimit nga e shoqja, Shpresa.

Panorama shkruan se ai e dhunonte të shoqen, duke i kërkuar që  të tërhiqte kërkesën për divorc.

Sipas kësaj gazete, Artur Kurti e kishte rrahur të shoqen edhe të shtunën, ndërsa ajo kishte thirrur për ndihmë vëllanë, Leonard Ristanin dhe djalin e saj, Jurgenin.

“Më datë 4.4.2016, rreth orës 21:10, në rrugën “Zef Jubani”, në afërsi të shkollës “Dëshmorët e Lirisë”, te pallati “Bion”, në katin e gjashtë, pas një konflikti në familje, ka gjetur vdekjen shtetasi Artur Kurti. Viktima Artur Kurti ka hyrë me thikë në dorë në banesë dhe është përleshur me djalin dhe kunatin, ku ka plagosur kunatin”,njofton zyrtarisht policia.

Sipas saj, në rrethana ende të paqarta, në përleshje e sipër shtetasi Artur Kurti ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve me thikë.

“Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë të mundur shoqërimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasin J. Kurti, djalë i viktimës. Njëkohësisht shtetasi L. R., (kunat) me viktimën, që ka mbetur i plagosur, ndodhet në Spitalin Ushatarak në gjendje të rëndë shëndetësore”, shprehet policia.

Policia e ka arrestuar Jurgen Kurtin dhe Leonard Ristanin.

Sipas të dhënave, djali i viktimës 23 vjeç dhe daja i tij, në kushtet e vetëmbrojtjes mund të kenë sulmuar 50-vjeçarin, që nisi të qëllonte me thikë mbi ta.

Ishin banorët e zonës që lajmëruan policinë, duke u shprehur se dëgjuan zhurmë dhe më pas të bërtitura që kërkonin ndihmë.

Kjo është një ngjarje e rëndë, që sipas policisë ka ardhur si pasojë e konfliktit brenda familjes, duke degraduar deri në përdorimin e armëve të ftohta.

Ndërkohë Jurgen Kurti, 23-vjeçari që ka kryer mbrëmjen e djeshme krimin e rëndë, vetëm pak ditë më parë i ftuar në emisionin “Top Show”, ka folur rreth jetës së natës apo dhe sjelljet e të rinjve në raport me lekun dhe pushtetin.

“Ka ikur koha e gjyshit tim, kur ngacmonin te pazari apo e babit tim kur ngacmonte në bulevard”, ka thënë ai duke i kthyer përgjigje pyetjes se si ngacmojnë tani të rinjtë.

Edhe pse në një moshë të vogël, Jurgeni ka marrë përsipër që të menaxhojë bizneset e familjes, për të nuk ka rëndësi shumë lekë për t’u lidhur me një femër.

“Nëse i ke të gjitha sipër mesatares (për lekët, pasurinë, makinat) duhet të jesh edhe sipër mesatares për inteligjencën dhe të shikosh kush e është e saktë dhe kush jo”,ka thënë Jurgeni në lidhje me femrat materialiste.

“Kam dy vjet në një marrëdhënie. Kam gjetur vajzën që është jomaterialiste. Një marrëdhënie duhet të jetë reciproke. Vajza në krah meje është studente, por dhe familja e saj ka një situatë ekonomike të mirë”.

SHKARKO APP