JICA mbështet krijimin e Qendres ABA/ Shërbim me një ndalesë për financimin e fermerëve të vegjël
Në ceremoninë e lançimitë zyrtar të Qendrës ABA në Lushnjë morën pjesë zv.ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Besart Kadia, ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Takada, përfaqësuesi i Zyrës së JICA për Ballkanin, Takeichi, përfaqësues të institucionit mikrofinanciar, si dhe përfaqësues të tjerë të linjës.
Ceremonia u mbajt nën masat strikte të respektimit të protokolleve të përcaktuara antiCOVID-19.
Zv.ministri Kadia gjatë fjalës së tij vuri në dukje, bashkëpunimin e hershëm mes qeverisë shqiptare dhe asaj japoneze, ndërsa theksoi se ndër vite, është ndjerë bashkëpunimi ekonomik me qeverinë japoneze nëpërmjet ndihmave dhe kredive, granteve dhe bashkëpunimit teknik, ku prioritar në fokus të mbështetjes ka qënë sektori i bujqësisë.
“Objektivi i Qendrës ABA është përmbushja e nevojave të çdo fermeri shqiptar me qëllim zhvillimin e tyre, zhvillimin e biznesit dhe ndërtimin e kapaciteteve dhe aftësive financiare. Jam i bindur se kjo qendër do të sjellë për fermerët shqiptarë shërbime jofinanciare që nuk i kanë patur të mundura më parë, kjo falë projektit “Përfshirja Financiare e Fermave Familjare në Zonat Rurale në Shqipëri”, por edhe përkushtimit të stafit të këtij projekti”, – tha Kadia.
Sipas tij, projekti “Asistencë Teknike nga Qeveria e Japonisë” është një projekt shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe sektorin bujqësor. Me një shtrirje 4- vjeçare, ky projekt synon të jetë një instrumentët në mbështetje të përmirësimit të jetës së qytetarëve në zonat rurale, dhe të krijojë një sektor agroushqimor efikas, novator e të qëndrueshëm.
Ambasadori i Japonisë në Shqiperi, Takada u shpreh se, “është një kënaqësi e madhe për mua të marr pjesë në këtë ceremoni për hapjen e Qendrës ABA, e cila mbështetet nga “Projekti i Përfshirjes Financiare të Familjeve të Vogla” në Shqipëri, financuar nga Qeveria e Japonisë.”
“Kjo Qendër do të ndihmojë në shpërndarjen e informacionit të dobishëm, edukim mbi tema të ndryshme dhe do të sigurojë një mundësi për qasje në mjetet thelbësore për lehtësimin e aktiviteteve ekonomike të pronarëve të vegjël. Në kontekstin e situatës së pandemisë që ka prekur gjithë botën, Qendra ABA përfaqëson një mjet të dobishëm për adresimin e disa problematikave të rëndësishme të shfaqura këto kohët e fundit, të tilla si kufizimi i lëvizshmërisë dhe aksesi fizik në tregje dhe produkte, bashkëpunimi mes sipërmarrësve etj, vështrirësi të cilat demtuan ekonomitë e vogla në Shqipëri”, – tha ambasadori Takada.
Ndërsa theksoi se, “për këtë arsye, përfitimet e shërbimeve, që do të ofrohen nga kjo qendër e rëndësishme janë shumëdimensionale”.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim dhe të marrim në konsideratë më shumë projekte në fusha të ndryshme bazuar në nevojat themelore të njeriut. Jam i bindur se bashkëpunimi teknik midis Japonisë dhe Shqipërisë do të forcojë më tej miqësinë afatgjatë mes dy vendeve tona”, – deklaroi Takada.
Ndërsa përfaqësuesi Rezident i JICA-s për Ballkanin, Takeichi, theksoi se, “ABA Center dhe ABA online së bashku, do të shërbejnë si një qendër e cila integron shërbime të ndryshme për fermerët, të tilla si trajnime, seminare, ngjarje të rrjetëzimit on-line, informacione mbi tregun, shërbime të gjera për bujqësinë etj.
Në këtë mënyrë, individët dhe sipërmarrësit e vegjël mund të përfitojnë një gamë të gjerë të shërbimeve të nevojshme, në një mënyrë të qëndrueshme, dhe mund të sigurojnë vazhdimësi dhe siguri të aktiviteteve të tyre ekonomike, tha ai.
Qendra ABA do te jetë, shërbim me një ndalesë, për vendosjen e kontakteve dhe ndërtimin e rrjetit të marrëdhënieve mes aktorëve të zinxhirit të vlerës, e cila ndihmon në përmirësimin e mundësive të biznesit për fermerët me anë të shërbimeve të personalizuara jo-financiare në çdo hap të rritjes së biznesit të tyre dhe pa asnjë kosto
Në përgjigje ndaj nevojave të fermerëve, në vitin 2020 Projekti i mbeshtetur nga JICA, zbatoi Skemën Mbështetëse të Inputeve Bujqësore, si reagim ndaj vështirësive të shkaktuara si rrjedhojë e pandemisë COVID 19, duke ofruar 40 000 Lekë mbështetje për 250 fermerë të perimeve, të cilët aplikuan për kredi në mikrokredi, me synim vijimin e investimeve në fermë.
Projekti është katërvjeçar, me një buxhet afërsisht 4 milionë euro (504 milionë jen japonez). Projekti pritet të përmirësojë jetën e rreth 75 mijë fermerëve të vegjël nëpërmjet zhvillimit të mikrokredisë dhe përmirësimin e shërbimit të tyre.