Jo më kryetar i grupit të këshilltarëve, Braimllari: Jam përjashtuar
Ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari bëri me dije këtë të hënë largimin nga kryetar i grupit të këshilltarëve të PL-së në këshillin bashkiak të Tiranës.
Ai shkruan se ky vendim ka ardhur si pasojë e përplasjeve në Partinë e Lirisë dhe përjashtimin e tij nga kjo forcë politike, siç shkruan, në datën 1 tetor 2024, në mbledhjen e Komitetit Drejtues.
Si pasojë, Braimllari ka kërkuar largimin e tij si drejtues i grupit të këshilltarëve të PL. Ai ka konfirmuar se nga ky moment do të veprojë si këshilltar i pavarur, duke shprehur angazhimin e tij “për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Tiranës dhe për të krijuar mundësi të reja për ta”.
Shkresa e Braimllarit
Të nderuar, në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, e mbajtur më datë 1 Tetor 2024, është marrë vendimi mbi përjashtimin tim nga kjo strukturë politike. Në kushtet e përjashtimit nga Partia e Lirisë, kërkoj të zbatoni vendimin mbi largimin si kryetar i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak Tiranë.
Njëkohësisht, pozicionimin tim si këshilltar i pavarur në Këshillin Bashkiak Tiranë. Nga ky moment do të jem këshilltar i pavarur, në mbrojtje të interesit qytetar për të krijuar shanse dhe mundësi për qytetarët e Tiranës.
Ju uroj punë të mbarë, ANËTAR I KËSHILLIT BASHKIAK TIRANË, ENDRI BRAIMLLARI.