”Jo më rritje të rasteve me Covid-19”, epidemiologu: Ndalimi i muzikës, dështim i qeverisë
Epidemiologu Dritan Ulqinaku, i cili njëherësh është dhe nëndrejtor i Institutit të Shëndetit Publik, është shprehur sot se në vijim nuk pritet që të ketë më rritje të rasteve me Covid-19. Në një intervistë në ABC News, Ulqinaku tha se tani ka pak kufizime dhe është kaluar piku i epidemisë.
Nga ana tjetër, ai komentoi dhe vendimin për ndalimin e muzikës pas orës 20:00, duke thënë se mbyllja bëhet nga frika dhe shton se çdo ndalim është një dështim.
“Tani jemi të gjithë të hapur, në punë me përjashtim të disa bizneseve të vogla. Rastet nuk kanë pse shtohen më tej. Shpresoj të mos kemi një rritje të vazhdueshme por të kemi një trend apo një ulje që jeta të vazhdojë pa kufizime. Unë shoh që jeta është në normalitetin e vet. Muzika ndalohet nga frika. Unë e kam thënë që çdo ndalim është një dështim. Është fakt që presioni i ISHSH prej pamundësisë për t’i kontrolluar mund të ketë sjellë këtë. Unë bëra pushime në jug dhe djali im tre ditë i kaloi në pubet e natës”.