Jo pjesë e koalicionit Berisha-Meta për 14 Majin, Mediu tregon kë kandidat mbështet

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tregoi arsyen pse partia e tij nuk është pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Për të nëse PR-ja do të ishte në këtë koalicion, do ta dëmtonte, ndërsa shtoi se ai ka kërkuar që në këto zgjedhje të shkohet me një kandidat të përbashkët, e madje se do të donte që PD të ishte e bashkuar pasi është një proces që herët a vonë do të ndodhë.

“Edi Rama në mënyrë të qëllimshme ndryshoi kushtetutën dhe kodin zgjedhor dhe qëllimi i tij është që të kishte vetëm një subjekt politik. Kjo ngushtonte hapësirën në një marrëdhënie elektorale të opozitës.

Ne kemi thënë që po do kemi një kandidat të përbashkët dhe secila parti të ketë listat e veta proporcionale. Unë kam kërkuar që të ketë vetëm një PD. Mendoj se është një proces që herët a vonë do të vijë. Le të kënaqemi me faktin që në shumë zona nuk kemi dy kandidatë.

Nuk kam pse të ndryshoj mendim sepse ndryshoi një palë mendim. Ne do të mbështesim gjithë kandidatët e Primareve, por ajo që i kërkoj koalicionit, është të mos injorojë asnjë faktor opozitar në listën proporcionale. Kandidatët duhet të formësojnë koalicionin e madh, pra “Bashkë Fitojmë”.

SHKARKO APP