Jo pjesë e listave të PD, Bogdani: Sfida ime është pushteti lokal dhe Bashkia e Tiranës
Ish-deputeti Gert Bogdani është një nga emrat që mungonte në listat e PD-së për zgjedhjet e 25 prillit. Sipas tij ky vendim ka qenë diskutuar më parë dhe ka pasur miratimin e palëve. Ai theksoi se sfida e tij është pushteti lokal dhe bashkia e Tiranës.
”Ka qenë diskutuar dhe miratuar më parë ky vendim. Ka qenë një proces i gjatë, që nisi nga sita e anëtarësisë deri në miratimin e vendimit. Ka pasur një diskutim, ka pasur një dakordësim dhe të gjithë do të jenë të angazhuar në fushatë.
Sfida ime është pushteti lokal dhe bashkia e Tiranës mbas 25 prillit, por ajo që është e rëndësishme aktualisht është sfida e 25 prillit, sepse rëndësi ka që të ndryshojë kjo qeveri dhe jo thjesht një rrotacion, por një ndryshim real.
Ka nisur puna edhe për zgjedhjet vendore të ardhshme, pasi sfidat vijnë njëra pas tjetrës. Herën e fundit nuk patëm zgjedhje vendore, patëm një votim mekanik njëpartiak. Unë besoj se pas kësaj do të kemi shqyrtimin e Kushtetueses, por sot data më e rëndësishme është 25 prilli”, u shpreh Bogdani për ”A2cnn”.