Jo vetëm pak vdekje, Gjermania ngadalëson edhe infeksionet
Gjermania është një vend që po merret si model në mesin e pandemisë së koronavirusit. Kjo për shkak të numrit shumë të ulët të vdekjeve.
Por Gjermania duket se ka ngadalësuar edhe numrin e infeksioneve, raporton gazeta BILD.
Të dielën, instituti Robert Koch lajmëroi se janë 18.610 të infektuar, një rritje me 1948 me një ditë më parë. Të shtunën, numri i të infektuarve ishte rritur me 2705.
Numri i vdekjeve të dielën ishte 55, një rritje me 9 nga e shtuna. Kurse të shtunën, numri i vdekjeve u rrit me 15.
Shkencëtarët mendojnë se ka disa arsye pse Gjermania ka kaq pak vdekje nga koronavirusi.
E para, Gjermania ka aktualisht 25 mijë shtretër në kujdesin intensiv, të pajisur me mbështetje respiratore, çka do të thotë se pacientët e marrin veten më shpejt. Italia ka rreeth 5 mijë, Franca 7 mijë dhe Britania 4 mijë.
E dyta, testimi i hershëm ka ndikuar në këtë shifër. Gjermania ka një rrjet të pavarur laboratorësh që e kanë nisur testimin që në janar. Ekspertët thonë se Gjermania e ka pikasur sëmundjen shumë herët dhe janë shumë përpara sa i përket diagnostikimit dhe zbulimit. Gjermania mund të testojë deri në 12 mijë njerëz në ditë.
E treta, popullsia e prekur në Gjermani ka qenë kryesisht e re. Më shumë se 70 përqind e të prekurve janë nga mosha 20 deri në 50 vjeç. Kjo fashë i reziston më shumë sëmundjes.
E katërta, Gjermania nuk bën testime postmortore. Nëse një person ka vdekur në karantinë ose nuk ka shkuar në spital, ai nuk do të testohet. Megjithatë ekspertët thonë se ky është një faktor shumë deciziv.