Jonida Maliqi i bashkohet nismës për mbjelljen e 100 pemëve në Parkun e Liqenit

“Ktheju tokës” titullohej kënga me të cilën Jonida Maliqi na përfaqësoi në Eurosong një vit më parë. Sot, artisja e njohur e muzikës së lehtë shqiptare, iu bashkua nismës për të mbjellë pemë në Parkun e Liqenit Artificial, së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj.

“Mbollëm sot 100 pemë bliri për 100-vjetorin e Tiranës me një mikeshë shumë të mirë, një gocë Tirone, e cila ka dhënë gjithmonë më të mirën. E dimë se kur dikush angazhohet, patjetër që është qendër e sulmeve, e thashethemeve dhe e baltës që ndonjëherë ky vend nuk ta kursen, por kemi zgjedhur të jemi me shumicën e njerëzve që janë pozitivë, që duan energji të mirë, që përveshin mëngët”, tha Veliaj. Ai u shpreh se dhurata më e bukur për këtë 100-vjetor është një pemë e re, e cila do t’i shërbejë edhe brezave të ardhshëm.

“Në fundjavë prezantuam logon e 100-vjetorit të Tiranës, të cilën e zgjodhën vetë qytetarët. Më shumë sesa nostalgjinë, ata zgjodhën të ardhmen, ngjyrat, zgjodhën dinamizëm, frymën pozitive të qytetit tonë. Por, logot shkojnë e vijnë, përvjetorët shkojnë e vijnë, janë disa gjëra që ngelen në jetë: Njerëzit, miqësia, solidariteti që kemi me njëri-tjetrin, por edhe kontributi në natyrë. Ndaj, sot vendosëm të investojmë në diçka që do jetë këtu edhe pas 100-vjetorit, edhe kur të dalim në pension, edhe kur të mos merremi më me punë publike. Besoj se secili prej nesh do të ketë një moment krenarie, kur me fëmijët tanë të themi: Kur kjo pema ishte e vogël, ose kur ishte 100-vjetori i Tiranës, dhamë një dorë që të mbillej ky kopshti këtu”, tha Veliaj.

Këngëtarja Jonida Maliqi shprehu mbështetjen për këtë nismë të Bashkisë së Tiranës, ndërsa vlerësoi kryebashkiakun për mbajtjen e premtimeve. “Pa kurrfarë hipokrizie, është gjithmonë kënaqësi të dëgjosh sepse ju ndryshe nga shumë personazhe të politikës, ju keni vepra mbi të gjitha. Jam e lumtur që bëhem pjesë e kësaj fushatë sepse mbi të gjitha, jam qytetare e këtij vendi, jam një nënë. Ne kemi më shumë oksigjen tani, kemi ambiente më të përshtatshme për fëmijët tanë. Do të jem gjithmonë në krahun tuaj, jo për faktin pse jam këtu sot, por sepse të gjithë juve ju mbështesin vetëm për realizimin e gjithçkaje që ke premtuar”, tha ajo.

Kreu i Bashkisë u shpreh se pavarësisht skeptikëve, aksioni për të shtuar gjelbërimin është kthyer në një nismë globale dhe një nga prioritetet për shumë vende të Bashkimit Europian. “Mbaj mend edhe kur filluam punën, pikërisht te ky park, thoshin: ‘Ç’është kjo? Si i përzini këta, ku po i çoni këta, ç’a janë këto kënde lodrash? Na mbytët me pemë!’ Ja ku jemi sot. Bashkimi Europian sapo kaloi me buxhetin e këtij viti atë që quhet “Marrëveshja e re e gjelbër”. Qytetet e Bashkimit Europian kanë vënë një pikësynim; pra siç ka vënë Tirana 2 milionë deri në 2030-ën, e ka vënë Milano deri në 2030 për të mbjellë 3 milionë pemë, sepse është qytet më i madh. Kur e filluam këtë nismë para 5 vitesh dhe thamë se këtu do shkojë bota me fokusin te mjedisi, të gjithë na qeshnin dhe na tallnin. Kur doli një gocë e vogël, 16 vjeç, Greta Thunberg, dhe drejtoi gjithë lëvizjen e gjelbër, duke mobilizuar të gjitha vendet progresive e botës, sigurisht në fillim fare e tallnin se ishte e vetmja që protestonte në Stokholm, derisa u kthye në një lëvizje globale. Ndaj, më pak tallje, më pak pengesa, stërkëmbësha, më shumë punë, energji, dhe kontribut konkret”, nënvizoi ai.

Veliaj shtoi se ky vit jubilar është edhe një moment reflektimi si shoqëri, për të qenë më shumë bashkëpunues me njëri-tjetrin.

SHKARKO APP