”Ju dënoni, ne lirojmë”, deputeti Agalliu: Pse ministri qenka kaq i interesuar për protestuesit e pas 2020?
Amnistia Penale, vijon që të përplasë qeverinë dhe opozitën. Deputeti i PD-së së vulës, Arbi Agalliu, thotë se qeveria ”Rama 3” po kërkon t’u bëjë presion SPAK-ut dhe gjykatave, dhe të falë zyrtarët e vet të korruptuar. Sipas Agalliut, Partia Demokratike kërkon që të amnistohen protestuesit që mbështetën këtë forcë politike gjatë viteve 2018-2020. Më herët ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se opozita është peng i interesave të vogla, teksa tha se në tavolinë i thonë po amnistisë, ndërsa në media jo.
Postimi i plotë
A janë më të fajshëm një grua, burrë a i ri që ka protestuar se kjo qeveri po i shkatërronte shtëpinë, apo zyrtarët e korruptuar që i kanë pirë gjakun këtij vendi dhe që kjo qeveri kërkon t’i amnistojë?
Ata që kërkojmë ne të amnistohen janë protestuesit që u ngritën për të mbrojtur të drejtat e tyre, ata që kërkoi kjo qeveri janë zyrtarët që i vjedhin çdo ditë ata. Morali i kësaj qeverie janë kriminelët që i veshi me pushtet dhe të korruptuarit që abuzojnë me pasuritë dhe paratë e shqiptarëve.
Çudi që Ulsiu, meqë qenka kaq i interesuar për protestuesit e pas 2020, nuk solli amendament për ta, por për zyrtarët e korruptuar. Është e kuptueshme që Edi Rama dhe qeveria e tij ka vetëm një interes: si t’i bëjë presion SPAK-ut dhe gjykatave, dhe të falë zyrtarët e vet të korruptuar. Mesazhi i tyre për drejtësinë është i qartë: “Ju dënoni, ne lirojmë!” Harrojeni!