Jugosllavët e vjetër të Tiranës dhe kompleksi i “apatrid-it”
Nga Mero Baze
Liri Berisha është pak a shumë si Bregoviçi. Nënën e ka serbe nga Beogradi, babain shqiptar të Malit të Zi, burrin shqiptar, kurse dhëndrin boshnjak.
Kjo gjë nuk e ka penguar të jetë gruaja e presidentit të Shqipërisë dhe më pas kryeministri të Shqipërisë, dhe njëkohësisht gruaja e një politikani që ka 30 vjet që sundon politikën shqiptare, ashtu siç thonë amerikanët, duke minuar demokracinë, duke vjedhur paratë e shtetit shqiptar dhe duke shantazhuar sistemim e drejtësisë.
Shqiptarët janë shumë të ndarë rreth kësaj familje. Ka mijëra njerëz që i urrejnë se janë vrarë prej tyre, ose janë rrënuar nga hakmarrje personale, të tjerë që nuk i durojnë dot si njerëz primitivë, dhe natyrisht plot të tjerë që i adhurojnë, si çdo militant.
Por as ata që i duan dhe as ata që i urrejnë, nuk e kanë me origjinën e tyre serbo-boshnjako-malazeze-shqiptare. E kanë me karakterin e tyre dhe më ato çfarë kanë bërë në këtë vend.
Në këtë pikë do të mjaftonte qëndrimi i shqiptarëve ndaj familjes së përzier sllavo- shqiptare të Sali Berishës, për të kuptuar dimensionin tolerant të saj dhe qasjen liberale që kanë ndaj origjinës etnike të një qytetari.
Por e kundërta ndodh me ata vetë. Përshembull Shkëlzen Berisha, njeri me gjyshe serbe të pastër, me gjyshe përzierje shqiptaro- bashnjake te Plaves, me fëmijë motre të përzier shqiptaro- boshnjake, i kompleksuar nga origjina e tij tërësisht jugosllave (dajës së vet i kanë pas thirrë Gim jugosllavi në Tiranë), ka disa ditë që përpiqet në portalin e tij të distancohet nga raca e tij, me një kompleks inferioriteti, që e kanë zakonisht gjithë “nacionalistët” ballkanas, që kanë gjak të përzier.
Rastet e nacionalistëve serbë që bënë maskara në emër të Serbisë mbi popujt e tjerë nga kishin vetë origjinën, janë të shumta. Aty përfshihet dhe Karaxhiçi, që ngjan aq shumë me Sali Berishën jo vetëm nga pamja, Mlladiçi, por dhe vet Millosheviçi. Kompleksi i të të mos qenit etnikisht i pastër, është një kompleks që prodhon krime në Ballkan. Familja Berisha e ka këtë problem.
M’u kujtua kjo sot, ndërsa më treguan një poster që shoqëron një humor kaps, siç mund të bëjnë Berishët humor, ku unë dhe 4 kolegë gazetarë shpalleshim si ideatorë të “Jugosllavisë së re”.
Ishte tipik emri me të cilin është rritur Shkëlzen Berisha, i zoti i portalit në fjalë. Ai është rritur me Jugosllavinë në shtëpi. Gjyshja e tij jugosllave ka qenë dy herë pjesëmarrëse në gjyqet ndaj “grave jugosllave në Tiranë”, më 1953 dhe 1976, natyrisht si dëshmitare, jo si e akuzuar, se ishte në anën e partisë.
Dhe duke u rritur si jugosllav i vogël në një shtëpi ku gjyshja flet serbisht, gjyshi atë boshnjakishten e Martinaj të Malit të Zi, nëna mban edhe emrin Slobodankë, dhe atë shqip Liri, dhe babai i ngjan me Karaxhiçin, komplekset e “apatrid-it” bëjnë punën e vet.
Në gjithë Ballkanin familje të tilla pa atdhe, janë familjet që marrin në dorë flamurin e nacionalizmit, për të fshehur krimet e tyre, dhe atë që u mungon, identiteti i tyre etnik, i cili në të vërtetë nuk është kurrëfarë pasurie dhe nëse e ke të pastër ashtu siç nuk është fatkeqësi ta kesh të përzier, si e ka familja Berisha.
E gjithë kjo histori i bën këta të pështirë, pasi pikërisht komplekset e tyre e të mos qenit shqiptar, i nxisin të kalojnë në ekstrem dhe të bëhen qesharakë, duke mohuar origjinën e tyre.
Fatkeqësia e familjes Berisha nuk është se është një familje sllavo- shqiptare, apo më mirë të themi një familje jugosllave në Tiranë. Fatkeqësia e tyre është se janë hajdutë të damkosur, shantazhues të drejtësisë dhe minues të demokracisë në këtë vend.
Ky eshte i vetmi moment, kur nëse mendoj si nacionalist, duhet të besoj se i kanë bërë gjëmën Shqipërisë për shkak të përzierjes së tyre serbo-boshnjake-malazeze. Por kjo nuk është e vërtetë. E kanë bërë se janë një familje kriminale. Dhe kriminelët janë njësoj si në Shqipëri, Serbi, Bosnjë apo Mal të Zi. Idiotët po ashtu.
Marrë nga gazeta ”Tema”