Jugu i ”kripur”, veriu ofron hartën me plazhet e lira
Në raport me një vit më parë, akomodimi në hotele dhe plazh, bashkë me transportin, janë shtrenjtuar mesatarisht me 5%. Ndërsa pijet dhe ushqimet janë shtrenjtuar mesatarisht me 10%.
Zgjedhjet për të kaluar pushime disi më të lira nuk mungojnë. Plazhet në veri të vendit, Shëngjin e Velipojë mund të jenë dy opsione. Çmime të përballueshme ofron edhe Durrësi e një pjesë e Vlorës. E njëjta nuk mund të thuhet për Sarandën, Palasën apo Dhërmiun, ku një çift mund të zgjedhë të paguajë nga 80 deri në 200 euro për të fjetur një natë.
Shqipëria vijon të ofrojë çmime më të ulëta se vendet europiane, por duke u barazuar me ato të rajonit. Sipas platformës Booking, një çift mund të akomodohet në plazhet e vendit për mesatarisht 80 euro, shifër kjo më e ulët se ajo që një turist do duhej të paguante në Itali apo Maltë, por më shtrenjtë se në Turqi. Çmimet e larta vlerësohen si një ndër arsyet se pse jugu i vendit nuk po përjeton bumin e turizmit këtë sezon veror, të paktën deri tani.