Juventus-Barcelona, nis “lufta” e së shtunës

Xhiorxhio Kielini nuk do të luajë në finale. Përfundimisht, mjekët kanë thënë “jo”. Sipas tyre: “Rezultatet kanë evidentuar një dëmtim të shkallës së parë në pulpën e majtë dhe për këtë arsye mbrojtësi nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Barcelonës”, lexohet në komunikatën e Juves. Po për ndeshjen dje kanë folur pothuajse të gjithë. Alesandro Del Piero ka thënë se Leo Mesi është futbollisti numër një në botë.
 

“Mesi është numër një. Ai ka talent, instinkt, pasion dhe magji. Ne jemi më fat që jetojmë në kohën e tij dhe mund ta shijojmë atë, duke luajtur”, tha Del Piero për faqen zyrtare të Barcelonës. Vetë argjentinasi i është me xhentilesë italianëve. Ai e di që Barcelona është favorite për triumfin në finalen e Ligës së Kampionëve, por thotë që Juventusi meriton respekt të madh. “Juvja ka bërë një sezon të shkëlqyer. Nuk duhet t’i nënvlerësojmë kurrë italianët. Italia ka dominuar për disa vite në Evropë, por pastaj kaloi nëpër një periudhë të vështirë, mirëpo megjithatë klubet italiane treguan se janë në gjendje të jenë konkurruese”, deklaroi Mesi.

Nga ana tjetër Havier Maskerano paralajmëron shokët e tij se duhet të kenë kujdes nga kundërshtari. “Ata janë italianë, specialistët e finaleve. Eshtë shumë e vështirë të luftosh edhe me faktorë jashtë futbollit, por mbi të gjitha mendoj se Juvja është shumë kompetitive. Bazojnë gjithçka te taktika, pastaj kanë shumë talent në skuadër, shkruan shekulli. Nuk është ekip tipik italian. Ata luajnë siç luajnë italianët në përgjithësi, por kanë edhe shumë cilësi. Kanë mënyra të ndryshme për të sulmuar dhe mbrohen me rregull. Do të jetë shumë e vështirë për ne. Tevez? Kemi luajtur si kundërshtarë edhe gjatë ndeshjeve derbi si Boka-River dhe Mançester-Liverpul.

Rrugët tona janë ndeshur shpesh dhe kanë pasur shumë gjëra të përbashkëta. Jemi miq të mirë dhe padyshim që Tevez është një sulmues “magjik” si dhe mbi të gjitha një futbollist që dëshiron të fitojë. “Çmendet” për ndeshje të tilla”, ka mbyllur Maskerano. Ndërkaq Barcelona ka zbuluar emrat e 26 lojtarëve që do të udhëtojnë në Berlin për finalen e Ligës së Kampionëve. Klubi katalanas nuk ka asnjë mungesë për këtë sfidë. Luis Enrike ka grumbulluar këta futbollistë: Ter Shtegen, Bravo, Masip, Alvesh, Dagllas, Montoja, Pike, Maskerano, Mathieu, Bartra, Vermaelen, Adriano, Alba, Busquets, Samper, Rakitiç, Ksavi, Injesta, Sergi Roberto, Rafinja, Pedro, Mesi, Munir, Suarez, Sandro, Nejmar.

SHKARKO APP