”Ka revoltë nga qytetarët”/Kreu i FRPD, Këlliçi: Kemi të bëjmë me një krim shtetëror
Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha, akuzon policinë se ka manipuluar provat e ngjarjes, duke hedhur një pistoletë 100 metra larg vendit të krimit. Nga ana tjetër, ai e ka cilësuar krim shtetëror vrasjen e të riut.
”Ka revoltë nga qytetarët. Është vrarë një i ri në 30-vjetorin e lëvizjes studentore, më 8 dhjetor. Është vrarë një i ri me dy hurma në dorë, dhe ajo çfarë është më kriminalja në këtë mes është fakti se u tentua të manipulohet ngjarja, provat e ngjarjes, duke hedhur një pistoletë 100 metra larg vendit të krimit dhe duke thënë se ky i ri ka kërcënuar policin. Nëse një person kërcënon një efektiv të policisë, si është e mundur që goditet me plumb pas koke? Si është e mundur që hyrjen e plumbit 25-vjeçari e ka pas koke dhe efektivi ka qenë në mbrojtje? Ka qenë duke ecur mbrapsht Klodiani dhe duke kërcënuar? Ajo që po ndodh është edhe më e rëndë se vetë krimi. Është një krim shtetëror”, tha Këlliçi në A2.
Siaps tij ministri i brendshëm, Sandër Lleshaj nuk do të dorëhiqet, edhe pse kjo do të ishte minimum që ai mund të bënte. ”Ka një reagim mbarëqytetar dhe nuk është rastësore. Nuk e di çfarë do të ndodhë ditën e nesërme po ajo çka unë di me siguri është që Sandër Lleshaj nuk do të japë dorëheqjen. Nuk ka treguar në asnjë moment të karrierës së tij në krye të ministrisë së Brendshme as ndonjë fije dinjiteti moral dhe nuk mund të presim asgjë nga një kapterr i dështuar. Askush nuk e pret dorëheqjen e tij por do të ishte në nder të tij të dorëhiqej sot. Do ishte minimum, polici i tij ka vrare një 25-vjeçar me plumb pas koke.”, shtoi Këlliçi.