Kadare asht në nji farë mnyre nji Selman Ruthdie i vonuem shqiptar
Aktualitet Forum E Diel, 29 Janar 2023 13:09
Nga Nest Zefi-
Në ditën e lindjes të shkrimtarit kontrovers Ismail Kadare, të cilit i duhen përcjellë urime e bekime për këtë përvjetor, mendoj se nuk asht e hijshme me u rreshtue në dy llogore pro e kundër tout court ndaj tij. Nji pjesë e armatës hagjografike dhe adhuruesve militant akritik të Ismail Kadarese e shpreh dellin e devocionit për ta, nëpërmjet ofendimit të atyne që kallxojnë me objektivitet militancën e tij në oborrin e nji prej rregjimeve ma kriminale që ka njoftë vendi jonë në shekullin e kaluem. Personalisht jam shpreh gjatë e madje me ese mbi Kadarenë, letërsinë e tij sofiste, por të ambalazhueme me mjeshtri e talent, mbi debatet publike që ka ba me të singjashmit e vet otoman si Rexhep Qosja e company. Po ashtu jam ndalë e kam tentue me shpjegue zanafillën e komplekseve të tij ndaj madhështisë të plejadës të shkrimtarëve, mendimtarëve apo poetëve katolike, pa anashkalue “folgorimin” e vonë në rrugën e damaskut, tue denuncue diktaturën kur ajo kishte mbarue si impiant kulturor e shtetnor..
Në këtë kuptim e kam vlersue që ka përdor inteligjencë pragmatike, tue e braktisë formalisht barkën e të keqës komuniste, tue dhanë diagnoza për të kaluemen dhe indikacione kurajoze për rrugën natyrale që duhet me ndjek shqiptarët në të tashmen e të ardhmen, pra, rreshtimin me vlera e qytetnimit europian. Megjithatë, deri tasht fatkeqësisht ka mungue nji mea culpa, tepër e domosdoshme për të kaluemen e tij, madje me rrethanën randuese se po kërkon të celebrohet si disident i mshehtë, tue rekrutue në këtë ndërmarrje donkishoteske disa dashamirës të vet katolik.
E tham shpesh se nuk duhet të pretendojmë heroizëm te tjetri, por nga ana tjetër nuk asht fisnike me predikue kurajon me pasë frikë e me jetue me “leprin në bark”, sikur ka dëshmue trajektoria e jetës të Ismail Kadarese, për të cilin ka thanë fjalë lapidare martiri Dom Simon Jubani.
Patjetër, Kadare asht në nji farë mnyre nji Selman Ruthdie i vonuem shqiptar, me gjithë marifetet otomane që mbart personaliteti i tij me plot hije; sall për këtë arsye meriton nji vlersim korrekt të figurës të tij në funksion të rekuperimit të nji qasje të re të shumicës të shqiptarëve për me u emancipue prej trashigimisë regresive orientale.
Gjithashtu, duhet edhe mëshirë kristiane e sens korrektimit vllaznor ndaj disa intelektualëve katolikë të nahijës tonë që e teprojnë me elozhe ndaj Kadaresë, mbasi ndoshta në rininë e tyne, i vetmi ushqim kulturor ka kenë krijimtaria monopoliste e tij, tue e kompromentue dritaren e vëzhgimit të shëndetshëm kulturor me parametrat e duhun.
Mbas viteve 90″, përtej vlersimeve maksimale të adhuruesve të vet transversal, Kadare mbeti thjesht nji modernizues nikikist i modelit kulturor të socio-realizmit socialist dhe përshkrues patetik i rrugëtimit të shqiptarëve, e melmyeme me fantazi të lodhun e gjys të vërteta, të cilat janë ekzaltue në qarqet masone të Europës relativiste. Mendoj se me kalimin e kohës e rritjen e nji gjenerate të re kritike e të lirë shpirntisht, “tullumbacja” e Kadaresë ka me u shfry në progresion gjeometrik. Respekti ma i madh për Kadarenë, tue perifrazue vetë atë, asht me kenë e ndejë “ajo urë, kurrë e pathyeme” me Europën, sikur kje e asht komuniteti katolik shqiptar.