Kadastra “offline”? Noterët: Vonesa e gabime
Vetëm 300 nga 2 mijë aplikime në ditë të qytetarëve, për shitje, dhurim, shkëmbim apo regjistrim fillestar arrijnë të marrin përgjigje nga ana e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Shifrat raportohen nga ana e noterëve, të cilët ngrenë shqetësimin e vonesave, por dhe gabimeve në kthimin e përgjigjeve. Një problem që ka nisur pas heqjes së zyrave fizike dhe kalimit të shërbimit të Kadastrës online.
“Sipas një vendimi të qeverisë afatet e kthimit të përgjigjeve fillojnë nga 24 orë deri në 30 ditë. Një kontratë shitje e pasurisë së paluajtshme afatin e ka 5-7 ditë por kemi kaluar 30 ditëshin dhe nuk kemi përgjigje nga ana e Kadastrës për shumë nga kërkesat. Gjë që ka sjellë bllokim të transaksioneve të qytetarëve në rastin e e shitblerjeve të pasurive të paluajtshme dhe duke krijuar një stok nëpër banka për lekët që mbeten në llogaritë e noterëve për shitblerjen e pasurive të paluajtshme”,-Vasil Martini, noter.
Sipas Agjencisë së Kadastrës Shtetërore kjo vonesë ka ndodhur si pasojë e shqyrtimit edhe të dokumentacioneve të mbartura ndër vite. “Që prej 3 korrikut dhe deri më tani ASHK po zhvillon një punë kolosalë jo vetëm në aplikimet ditore por dhe ato të mbartura. Janë stok dhjetëra mijëra aplikime të mbartura që edhe këta e duan një përgjigje pavarësisht se nuk kanë pasur mundësi deri më sot”,-tha Edmond Arizaj, drejtor i marrëdhënieve me publiku në ASHK.