“Kajmaku”, Çudit deputeti i PS: Faji i kandidatëve që nuk kanë marrë avokatë
Deputeti socialist, Ervin Bushati, komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, vendimin e KQZ për të shkarkuar nga detyra kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku.
Bushati tha se këto ishin zgjedhjet e para lokale, që bëheshin me ligjin e Dekriminalizimit dhe është faji i kandidatëve që nuk kanë marrë avokatë për të parë me detaje të gjitha çështjet e tyre, ndërsa shtoi se PS ka vullnetin për ta çuar përpara Reformën në Drejtësi, edhe do duhet të vuajë edhe vetë.
“Ne kemi votuar ndryshimet në ligjin e Dekriminalizimit dhe këto janë zgjedhjet e para lokale që bëhen me këtë ligj në fuqi. Patjetër, që kandidatët duhet të kishin deklaruar në formular çështjet e tyre. Ne kemi mbrojtur procesin, deri sa folën institucionet. Nuk ka mënyra si të kërkojë PS informacione për kandidatët. Po ne e kemi zgjedhur, dalim përgjegjës për këtë, por nuk merremi me raste personale.
Faji i tyre, që nuk kanë marrë një avokat dhe të shikonin të gjitha detajet, por nuk i hyj unë kësaj. Nëse të gjithë kandidatët tanë do duhet të kishin marrë nga një kandidat dhe ta shikonin këtë pikë për pikë këtë, ndoshta. Tani ne e kemi vënë që të shikohen tre muaj përpara. Ky është rast unik në botë, ku ne i kemi hequr gjithë të drejtat edhe qytetarëve për t’u zgjedhur.
Është hera e parë që provohet në zgjedhjet lokale ky ligj. Me gjithë mbështetjen tonë, ne bëjmë procesin politik, në 61 bashki ka ndodhur që dy qytetarë kanë menduar që nuk e kanë shkelur ligjin, kjo nuk më përket mua. Kjo bën që herës tjetër çdo kandidatë që do të kandidojë ta njohin mirë ligjin, të marrin avokat. Basha mesa di unë është akoma i pandehur. Kur ta bëjë në formularin e Dekriminalizimit ta deklarojë. Të mbajë përgjegjësi për veten, fytyra e Ramës, është Rama”, tha deputeti i PS.
Ka dhe një rast të tretë që flitet si i inkriminuar, ju shqetëson kjo?
Po e them për të tre rastet, nuk është as në tagrin e PS për të marrë informacion, nuk është detyra jonë. Nëse ka një rast, të ndiqet rruga ligjore.
A është goditje për PS?
Ky nuk është lajm i mirë. Ne kemi një vullnet perfekt për ta çuar Reformën në Drejtësi deri në fund, edhe nëse do duhet të vuajmë edhe vetë. Ne po bëjmë një Reformë në Drejtësi, që po e pastron tërësisht politikën.
Çështja e ndikimit rus …
Është një nga sfidat që ka demokracia, më parë kishte luftëra, tani ka ndikime ekonomike, politike. Ka ndikim të provuar në të gjithë botën. Është një iniciativë e gjithë vendeve të BE për të bërë një rezolutë, ndaj do ta bëjmë edhe ne.
Kam thënë se fakti që jemi një vend pro NATO nuk na bën auto-imun, që nënkupton se mund të jemi nën ndikim edhe sot. Ka një iniciativë globale për t’i paraprirë ndikimit, vendet e BE e kanë bërë, duhet ta bëjmë edhe ne. Ka ndërhyrje, sepse ka ndodhur në gjithë botën dhe është provuar në shumë vende. Patjetër, që duhet të ketë edhe në Shqipëri. Shqipëria nuk është më shkëmb graniti, si në kohën e Enverit, që të mos na prek më asgjë, na prekin, normal.
Zgjedhjet e parakohshme, si do bëhet me Reformën Zgjedhore?
Opozita e ka për detyrë të kërkojë zgjedhje të parakohshme, e bën këtë gjë opozita në gjithë botën. Neve na është kërkuar me ngulm që të miratohet Reforma Zgjedhore, sepse është paguar me lekët e taksapaguesve gjermanë dhe ata nuk e falin këtë gjë. PD e z.Bashës e ka një vend në tavolinë, por nuk është gati. Kur të jetë gati, të vijë, s’ka pse të ketë zgjedhje të parakohshme.
As PD në Parlament dhe as ata jashtë nuk janë gati për zgjedhje të parakohshme. Ata nuk janë gati as me strukturat, as me ligjin, as me asgjë dhe do të merrnin të njëjtin rezultat. Taksapaguesit shqiptarë nuk janë gati për zgjedhje në çdo tre muaj.
Leonardo Di Caprio ka dalë në mbrojtje të Lumit Vjosë, a keni një koment?
Shpresoj që di Caprio të jetë një mik i Shqipërisë dhe të bëjë një film për Shqipërinë, e të promovojë edhe turizmin tonë. Shpresoj të vijë në Shqipëri, të bëjë dhe një film. Ka një opinion, s’e di ku e ka të bazuar, por kjo tregon se Shqipëria është në vëmendjen e njerëzve të famshëm. E kuptoj që vetëm gjërat e këqija shesin, por le të bëjnë dhe gjëra të mira.