Kakavijë, i gjejnë 50 mijë euro në makinë, procedohet penalisht 41-vjeçari
Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi në Kakavijë.
Sekuestrohen 50.000 euro dhe procedohet penalisht poseduesi i shumës monetare.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, mjetin tip “Toyota” që drejtohej nga shtetasi I. Sh., 41 vjeç, banues në Fier. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjetën të fshehura në valixhen e shtetasit I. Sh., 50.000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.” – njofton policia.
Shtetasi I. Sh. u procedua penalisht për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.