Kakavijë, sekuestrohen rreth 20 mijë euro

Policia Kufitare e Kakavijës ka goditur një tjetër rast të mosdeklarimit të të hollave. Një 46-vjeçar nga Durrësi tentoi të nxirrte jashtë vendit tonë 19 350 euro, pa i deklaruar siç e përcakton ligji. Gjatë kontrollit të detajuar atij iu gjetën dhe sekuestruan paratë, ndërsa ndaj tij nis procedimi në gjendje të lirë.

Njoftimi i Policisë

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe me etikë, qytetarëve në hyrje/dalje, është goditur një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave.

Në bazë të analizës së riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi Y. Sh., në çantën e të cilit u gjetën 19 350 euro që ai po tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar siç e përcakton ligji.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u sekuestrua shuma e parave dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Y. Sh., 46 vjeç, banues në Durrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.

SHKARKO APP