Kalim ilegal i kufirit kundrejt 150 eurove, arrestohet 37- vjeçari në Kakavijë, ja si vepronte për klandestinët
Një 37- vjeçar u arrestua në Kakavijë pasi ndihmonte persona të ndryshëm të kalonin kufirin me Greqinë pa iu nënshrtuar kontrollit doganor.
P.M, merrte 150 euro për çdo rast dhe në herën e fundit ai do ia merrte shqiptares A.V për ta kaluar ilegalisht drejt Greqisë. Ishin Policia Kufitare shqiptare që bashkëpunuan me kolegët grekë për të kapur 37- vjeçarin .
Në fakt ky person merrej me transportin e bagazheve por si në hyrje dhe në dalje të doganës në Kakavijë ky person merrej me kalimin e paligjshëm të shtetasve që kishin probleme me ligjin ose që nuk lejoheshin të futeshin në Shqipëri ose anasjelltas në Greqi. Ai i kalonte duke evituar kontrollin doganor kundrejt një fitimi prej 150 eurove.
NJOFTIMI I POLICISË
Kakavijë, Gjirokastër
Policia Kufitare arreston në flagrancë një shtetas i cili kundrejt fitimit ndihmonte shtetasit që kishin probleme për të kaluar kufirin duke mos iu nënshtruar kontrollit në doganën greke të Kakavijës.
Në kuadër të zbatimit të detyrave të përcaktuara në planin e masave të dërguar nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin për rritjen e forcës goditëse ndaj krimeve ndërkufitare me qëllim vënien para përgjegjësisë penale të autorëve, Shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar në Kakavijë në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme, arrestuan në flagrancë shtetasin:
– P. M. vjeç 37, banues në Kakavijë, Gjirokastër, i cili kundrejt fitimit ka ndihmuar një shtetase shqiptare të kalojë kufirin drejt Greqisë. Ky shtetas do i merrte shtetases me iniciale A. V., 150 euro me qëllim që ta kalonte pa iu nënshtruar kontrollit kufitar në tokën greke.
Autori prej disa ditësh mbahej nën vëzhgim nga shërbimet e Policisë Kufitare, pasi disponohej informacion se përveç punës që kryente në transportin e bagazheve, zhvillonte edhe aktivitet kriminal në drejtim të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit duke ndihmuar të kalojnë ilegalisht shtetas të ndryshëm shqiptarë si në hyrje edhe ne dalje në doganën greke të Kakavijës.
Policia Kufitare e Kakavijës ka bashkëpunuar me homologët e saj në tokën greke me qëllim dokumentimin e aktivitetit kriminal të këtij shtetasi.
Veprimet e mëtejshme u kryen nga Specialistët për hetimin e trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.