Kalime ilegale në doganë, Amerikanët dhe SPAK aksion në Han të Hotit. Në pranga ka rënë vetëm 1 person

Është goditur grupi që organizonte kalime ilegale në doganë. Një operacion i përbashkët i Policisë së Shtetit, BKH-së dhe Task-Forcës të sigurisë diplomatike që operon pranë ambasadës së SHBA-ve në Tiranë ka çuar në goditjen e një rrjeti që mundësonte kalimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë në doganën e Hanit të Hotit dhe që për destinacion final kishte Kanadanë dhe Amerikën.

“Plani operacional i koduar “HOTI”, kundër veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve shqiptarë, për kalim të paligjshëm nga PKK Hani i Hotit, me destinacion Kanadanë dhe Amerikën. Plani operacional, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në DPPSH, në bashkëpunim me DVP Shkodër, Forcën e Posaçme Operacionale, BKH-në dhe me Task Forcën “Joint Shield” të Agjencisë Federale të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023.”

Në kuadër të këtij operacioni janë ekzekutuar 5 urdhër-arreste të lëshuara nga Gjykata e Posaçme. Përkatësisht, një 56-vjeçar nga Malësia e Madhe është dërguar pas hekurave, ndërsa masa e sigurisë “arrest në shtëpi” është vendosur për 4 të tjerë, dy prej të cilëve efektivë në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit.

Në banesat e këtyre shtetasve janë gjetur dhe sekuestruar 8125 euro, 625.000 lekë, 3060 dollarë amerikanë, 240 dollarë kanadezë, si dhe 17 celularë, 3 automjete, 1 USB, 21 fishekë, blloqe shënimesh, regjistra hyrje-daljesh, bileta udhëtimi, mandate pagesash dhe mandate bankash.

SHKARKO APP