Kalimi në Mali të Zi, në pikat kufitare do të kërkohet vetëm tamponi
Të gjithë qytetarët shqiptarë që do të lëvizin drejt Malit të Zi, duhet të kenë me vete përgjigjen negative të tamponit të COVID-19. Njoftimi është dhënë nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Shkodër.
“Stacionet e Policisë Kufitare Hani i Hotit dhe Muriqan: Njoftojmë të gjithë qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Malit të Zi, se duke patur përgjigjen e tamponit të tyre, mund të lëvizin normalisht drejt vendit fqinje.
Ky rregull do të jetë i vlefshëm për javët në vijim, deri në një urdhër të dytë, nga e hëna në të premte ora 22:00”, njofton Drejtoria Vendore e Kufirit.
Për të kaluar nga dogana e Muriqanit dhe Hanit të Hotit nuk është e detyrushme që qytetarët të kenë një biletë avioni apo hotel të prenotuar.
Për shkak të rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19, Mali i Zi, ka kufizuar lëvizjen e qytetarëve dhe ka shtuar masat në pikat kufitare.