Kallëzimi i KLSH për Gjiknurin, qeveria u përgjigjet akuzave

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori Ministrin e Energjisë dhe Industrisë, si edhe Avokaten e Shtetit me pretendimin se marrëveshja e zgjidhjes me mirëkuptim të konfliktit mes shtetit shqiptar dhe CEZ a.s. ka sjellë një dëm ekonomik prej 479 milionë euro. Sipas KLSH, dëmi ekonomik ndahet në:

a) 95 milionë euro pagesë e shtetit shqiptar ndaj kompanisë çeke, sipas marrëveshjes së dakordësimit;

b) 352 milionë euro detyrime të prapambetura financiare që CEZ duhet t’ia kthente shtetit shqiptar;

c) 32 milionë euro zhvlerësim i aksioneve të shtetit shqiptarë që zotëronte 24% të CEZ.

Portali transparenca.al sjell më poshtë mund të gjeni shpjegimet për secilën prej pretendimeve të ngritura nga KLSH:

a) Vlera prej 95 milionë euro që qeveria shqiptare duhet t’i paguante kompanisë çeke është përllogaritur në bazë të detyrimeve të pastra kontraktuale që pala shqiptare kishte ndaj CEZ a.s.. Të gjitha detyrimet, me vlerë të përgjithshme 95 milionë euro, janë të provuara si të tilla dhe të shoqëruara nga kontrata kredie, kontrata furnizimi mallrash dhe shërbimesh, apo fatura të tjera të pranuara si detyrime edhe nga CEZ shpërndarje sh.a., pas kalimit të kompanisë çeke nën administrimin e përkoshëm shqiptar, në datën 23 Janar 2013.

b) Pretendimi se CEZ i detyrohej shtetit shqiptar 352 milionë euro është një pretendim i pabazë, pa asnjë argument ligjor dhe financiar. Auditimi i kompanisë BDO vlerëson se detyrimi që CEZ kishte ndaj kompanive shtetërore KESH dhe OST është 29 miliardë lekë. Por nga ana tjetër, bazuar në formulën e vetëgjyqësisë financiare të parashikuar në marrëveshjen miqësore të qeverivë Berisha në vitin 2012, nga shuma 29 miliardë lekë që kompania çeke i detyrohej KESH dhe OST duhen zbritur detyrimet që institucionet shtetërore i kishin CEZ, të cilat kapin vlerën e 10 miliardë lekësh. Pra në fakt, totali i detyrimit të CEZ ishte 19 miliardë lekë, ose 130 milionë euro. Për më tepër, nevojitet të llogariten edhe borxhet financiare që konsumatorët shqiptarë i kishin kompanisë së shpërndarjes, borxhe të cilat fatkeqësisht KLSH nuk i merr fare parasysh. Bëhet fjalë për 70 miliardë lekë borxhe, ose 500 milionë euro, të cilat falë marrëveshjes së nënshkruar nga qeveria shqiptare, në momentin e arkëtimit nuk shkojnë më për kompaninë çeke, por për shtetin shqiptar. Dhe vetëm në dy vitet e fundit, OSSHE ka arkëtuar 28 miliardë lekë borxhe të prapambetura ndaj kompanisë çeke, të cilat në fakt kanë shkuar në arkën e shtetit shqiptar.

c) Së fundi, pretendimi i zhvlerësimit të aksioneve të shtetit shqiptar, që sipas KLSH ka shkaktuar 32 milionë euro dëm, është një tjetër pretendim i pavend. Të gjitha gjetjet e auditeve të pavarura tregojnë se vlera tregëtare e shoqërisë CEZ shpërndarje ishte negative. Nga ana tjetër, auditi tregonte se vlera e aseteve të kompanisë ishte 24 miliardë lekë. Sipas marrëveshjes të zgjidhjes me mirëkuptim, nënshkruar nga qeveria shqiptare, aksionet e kompanisë kalojnë 100% në pronësi të shtetit shqiptar, duke përfshirë këtu edhe asetet e saj, në këmbim të vlerës simbolike prej 1 euro. Falë kësaj marrëveshje, jo vetëm që palës çeke nuk i njihet shuma prej 102 milionë euro që CEZ kishte paguar gjatë procedurës së privatizimit, por edhe 24 miliardë lekë asete të kompanisë çeke kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar.

SHKARKO APP