Kaluan kamionin me drogë, pranga 7 doganierëve në Durrës

 

Prokuroria e Durrësit, e ka çuar në 7 numrin e doganierëve të dyshuar për “shpërdorim detyre”, të cilët, me mosveprimet e tyre, kanë krijuar mundësinë e trafikimit të 1 650 kg lëndë narkotike canabis sattiva, e zbuluar në datë 17 nëntor nga autoritetet italiane në portin e Barit në një kamion që ishte nisur nga porti i Durrësit.

Pas arrestimit të dy punonjësve të kompanisë private të skanimit, me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” edhe për disa persona të tjerë, punonjës të Doganës së Durrësit dhe punonjës të policisë kufitare. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar gjatë ditës së sotme nga ana e Policisë së Shtetit.

Për Prokurorinë e Durrësit, ngarkesa e lëndës narkotike është trafikuar në drejtim të Italisë, për shkak të mosveprimeve në përputhje me ligjin të shtetasve: Leonard Gremi, me detyrë doganier dhe përgjegjës turni në Doganën Durrës; Ilir Shtama, me detyrë doganier i skanerit në Doganën Durrës; Redi Demiri, me detyrë doganier i kontrollit fizik në Doganën Durrës; Fitim Demollari, (me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë Port Durrës) ; Artur Habibi, (me detyrë punonjës policie në Komisariati e Policisë Port Durrës)

Për këtë ngjarje, me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata ka vendosur pak ditë më parë masën e sigurisë “arrest në burg” edhe për shtetasit Fatjon Trezhnjevadhe Edmond Hysko, punonjës të kompanisë private të skanimit në portin e Durrësit. Po ashtu, nga ana e autoriteteve italiane, janë arrestuar ditën e ngjarjes edhe dy shtetas shqiptarë, shoferë të kamionit me rimorkio ku u gjet sasia e lëndës narkotike, përkatësisht Andrea Lleshi dhe Dorjan Lleshi.

SHKARKO APP