”Kam edhe 7 vite kredi”, te Medreseja nis prishja e banesave
Banorët e zonës së Medresesë në Tiranë po përballen aktualisht me të njëjtën situatë si bashkëqytetarët e tyre në zona të ndryshme të qytetit. Bashkia e Tiranës ka nisur prishjen e dhjetëra banesave dhe bizneseve në kuadër të planit për zgjerimin e rrugës. Banorët janë shprehur për ‘Fax News’ se janë përjashtuar papritur nga procesi i legalizimit, ndonëse godinat janë ndërtuar 22 vite më parë dhe premtime kanë marrë çdo vit. Ata theksojnë se vijojnë ende të paguajnë kredi për shtëpitë e tyre.
“Unë shtëpinë time e kam blerë 100 milionë lekë, a vihet në pikë të dimrit që të prishet shtëpia, janë tallur në mënyrën më barbare me ne. Unë e kam akoma me kredi shtëpi, kam edhe 7 vite për të larë. Prishin qepenin dhe nuk mbajnë pikë përgjegjësie, ku do shkoj unë, ku të mbytem që të laj kredinë? Ku të ankohesh për këta, këta të fusin në burg, vetëm atë dimë. Unë i kam shpërndarë kalamajtë që të mos e shohin këtë tmerr sot me sy. Na kanë sjellë një shkresë dhe na kanë thënë që përjashtohemi nga procesi i legalizimit”, shprehet e irrituar banorja.
Ndërkohë banorëve nuk iu është dhënë asnjë premtim nëse do të dëmshpërblehen, ndërsa shtojnë se nuk kanë ku të ankohen, se kanë frikë se policia dhe shteti do të hakmerret me ta. Të gjithë theksojnë se kjo rrugë është qorre, pasi disa metra më tutje rruga është e zënë nga pallatet. “Unë kam më shumë se 60 vite që kam qenë këtu, jam banorja më e vjetër. Kemi 22 vite që na është thënë në fushatë se do të na legalizohen banesat. Këtu kalojnë dy makina rehat, ka dhe trotuar, cili është qëllimi këtu? Ku të shkoj unë, nuk kam bllokuar rrugën! Një muaj afat na kanë lënë, do prishet do rregullohet na kanë thënë”, shprehet një tjetër banore.
KOHA JONË SONDAZH

