“Kam harxhuar 680 mijë lekë” numri i recetave Covid-19 të rimbursuara shumë i pakët

Pjesa më e madhe e pacientëve janë kuruar në shtëpi, disa nga frika e spitaleve e të tjerë për shkak të gjendjes së lehtë të sëmundjes.

Qytetarët vijojnë të ankohen për  shpenzimet e shumta  për ilaçet, ndërsa disa prej tyre thonë se  nuk kanë përfituar rimbursim.

“E mbajtëm disa ditë në shtëpi se kështu na thanë, kështu bëmë dhe ja ku përfundoi. Çfarë rimbursimi? Në farmaci i marrim me lekët tona. Në shtëpi e kam mbaruar 4-5 ditë. I blemë të gjitha, oksigjenin dhe prapë nuk u bë mirë. Ilaçet i kam blerë mbi 300 mijë lekë dhe i kam në shtëpi akoma. Kam harxhuar 680 mijë lekë. ”

I kthyer nga Italia për ti shërbyer të ëmës, ky zotëri tregon se atje nuk ka shpenzuar asgjë për ilaçet.

“Ilaçet të gjitha me rimbursim, nuk kam paguar asnjë kokërr leku. Edhe spitalit nuk i kam paguar asgjë, i kam bërë të gjitha falas. Në shtëpia kanë sjellë ndihma, për të ngrënë, për fëmijët.”

3 muaj nga periudha kur nisi rimbursimi i ilaçeve covid në banesë, kanë përfituar 8000 pacientë, ndërkohë për të njëjtën periudhë nga shifrat zyrtare  rezulton se janë infektuar  rreth 56 mijë  qytetarë.

Ilaçet  mund të  rimbursohen  për fazën e  lehtë dhe të moderuar të covid  vetëm kur ato jepen me recetë nga mjeku i familjes.

Sipas farmacistëve,  procesi i rimbursimit të ilaçeve ka vijuar normalisht, por numri i atyre që paraqiten me recetë nga mjeku i familjes është i ulët.

Ata thonë se këto raste të pakta lidhen me faktin se pacientët i drejtohen mjekëve specialist më së shumti e jo atyre të familjes. /Ora News

SHKARKO APP