”Kam parë një vajzë të bukur ma gjeni kush është”, përgjimet që çuan në pranga efektivët
”Kam parë një vajzë të bukur dhe jam fiksuar keq. Më gjeni kush është ajo”. Këto janë disa nga përgjimet e SHÇBA ku ka nxjerrë zbuluar një serë shkeljesh nga efektivët e policisë në Tiranë dhe në Korçë. Efektivi i arrestuar Durim Murja është telefonuar me datë 8 gusht nga kolegu i tij Jon Burri, i cili i ka kërkuar të dhëna në lidhje me pronaren e një makine tip “Toyota” që kishte parë në një lavazh.
Burri i kërkon Murjas të dhëna për vajzën me inicialet A.C, pasi e kishte pëlqyer shumë. Sipas dosjes hetimore, Murja ka hezituar por pas ngulmimit nga Burri ka pyetur kolegen e tij Matilda Hamollari që t’i ofrojë të dhënat në fjalë. Hamollari dhe Murja i sigurojnë kolegut të tyre të dhënat e qytetares duke shkelur ligjin për të dhënat personale.
Efektivi tjetër i komisariatit nr. 1 Arjan Balla favorizonte një lokal në Shkozë jashtë orarit të lejuar. Sipas përgjimeve efektivët Balla dhe Durim Murja kishin gënjyer sallën operative për lokalin e dasmave pasi ishin vetë të ftuar në gëzimin familjar. Efektivët e Tiranës janë lënë në burg, përveç Matilda Hamollarit e cila është lënë arrest shtepie. /Shqiptarja.com/