Kambanat e rënies së inflacionit – Ekspertët: Çmimet e ulta po penalizojnë ekonominë

Banka e Shqipërisë në prezantimin e objektivave të saj për vitin 2020, shprehej se synohet që inflacioni të vazhdojë në trajektore pozitive. Por 2019-ta rezultoi një vit vërtet negativ sa i përket këtij treguesi. Ndaj ekspertët po ngrejnë alarmin për marrjes e masave nga organet kompetente. Në fjalën e mbajtur pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës Guvernatori Sejko shpjegoi se rritja e ulët e çmimeve shpjegohet me presionet e ulëta inflacioniste nga jashtë, mbiçmimin e lekut, por edhe me përmirësimin e pamjaftueshëm të kërkesës së brendshme. Sidoqoftë, edhe nëse nivelet e ulëta të inflacionit shpjegohen me ndikimin e përkohshëm të faktorëve të ofertës apo mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit, shtrirja e këtij ndikimi në kohë po shfaqet më e gjatë dhe më e qëndrueshme nga sa pritej.

Alarmi i INSTAT, inflacioni i ulët

Gjatë vitit 2019 inflacioni në Shqipëri ka ndjekur një trend negativ, ndryshe nga dy vitet e mëparshme, duke arritur në nivelin mesatar të normës 1.4%, me muajin dhjetor që pa normën më të ulët të regjistruar në 1.1%. Për SCAN TV dy ekspertët e ekonomisë Adrian Civici dhe Selami Xhepa kanë shpjeguar se ky duhet të jetë një alarm për qeverinë shqiptare dhe se ka ardhur momenti për ndërgjegjësim. “Inflacioni është i ulët sepse një kategori shumë të mëdha të grupeve sociale nuk kanë mundësi të konsumojnë me intensitetin dhe masën që duhet. Është një kambanë alarmi për ekonominë shqiptare sot dhe perspektivat e zhvillimit të saj për vitin 2020. Ka edhe një efekt psikologjik nga tërmeti i 26 nëntorit, ku më së shumti po ndikon tek pjesa e blerjeve të mëdha si mobiljet shtëpiake, autoveturave dhe banesave, që duket se kanë kanë ndaluar për një periudhë kohe.” – është shprehur Civici. “Në tërësinë e vet mendoj që ka patur një dobësim të theksuar të kërkesës dhe kjo ka bërë që nivelet e çmimeve të mallrave të ndryshojnë me nivele tepër të ulëta. Sepse në analizë të fundit një inflacion i rritur edhe pse kur del jashtë kontrollit tregohet si negativ, por një normë rritje e kontrolluar gjithsesi është pozitive. Mirëpo një ulje e saj dhe fakti që po shkon drejt zeros, pra një mos-ndryshueshmëri e nivelit të çmimeve është diçka jo e mirë për ekonominë. Është një indikator që nuk tregon se do të kemi një përmirësim apo rritje të shëndetit të të ardhurave të konsumatorit.”- thotë profesori Selami Xhepa, pas statistikave të publikuara nga INSTAT.

Me sytë e prodhuesit dhe konsumatorit

Në emër të prodhuesve të vendit, Arben Shkodra kërkon që inflacioni të shihte me sy tjetër dhe e  shikon rënien e tij të lidhur direkt me nivelin e mirëqënies së individëve.  “Unë besoj se kemi hyrë në kurbën e alarmit të inflacionit që në fillim të vitit të kaluar, kur të gjithë parametrat shikoheshin në rënie dhe me një ngadalësim të ekonomisë. Ngadalësimi do të thotë që në fund fare të kesh pak të ardhura në xhepin personal, pak për të bërë investime publike dhe për të marrë disa masa. Popullata në fund do mirëqënie dhe kjo garantohet nga një qeverisje e mirë dhe mirë-menaxhim i financave publike. Njerëzit duhet të kenë para në xhepin e tyre për të konsumuar për të gjithë nevojat e tyre bazike. Githë këto indikatorë, rënia ekonomike, inflacioni a po na dërgojnë drejt mirëqënies? Nëse jo, atëherë patjetër diçka nuk shkon me ekonominë.”- shprehet Shkodra. Ndërkohë për pedagogun Rezart Prifti ekonomia shqiptare ndodhet në deflacion, por shifrat zyrtare të pompuara sipas tij, ende nuk e reflektojnë këtë realitet të hidhur.“Dy muaj më parë ka qenë 1.4% norma e inflacionit dhe argumentuam se kjo vinte si shkak i rritjes së çmimeve të disa produkteve për eksport dhe të peshkut për tregun jashtë, ndërsa vlera inflative për Shqipërinë mbetej në masën 0.4%. Tashmë tek 0.4% po të shtosh marzhin e gabimit dhe po të shtosh dëshirën e INSTAT për të reflektuar shifrat e qeverisë, atëherë besojmë se është fryrë pak si numër. Unë besoj se ne jemi nga -0.5 në -1 në periudhë deflacioni. Dhe nga krahu tjetër nga statistikat e INSTAT shohim se ka një tkurrje të frikshme të konsumit.” – shprehet Prifti.

Kambanat për 2020-ën

Ekspertët e ekonomisë kërkojnë më shumë vëmendje për fenomenin dhe sugjerojnë për ndërhyrje. Sipas tyre shteti duhet të luajë një rol më të madh në këtë pjesë dhe se Banka Qëndrore i ka përdorur pothuajse të gjithë instrumentat e saj për të stabilizuar situatën. Fokusi kryesor duhet të jenë në rritjen e pagave. “Shitjet do të stimuloheshin shumë nëse sektori privat do të indeksonte pagat. Është e pajustifikueshme që pagat në sektorin privat janë sa 75% e pagave në sektorin publik. Pra, nëse pagat do rriteshin, atëherë dhe shitjet do shtoheshin dhe ekonomia do gjallërohej,” thotë Selami Xhepa. “Nëse vazhdojmë me situatën e inflacionit të ulët, duket se politika monetare i ka shikuar të gjitha mundësitë e tjera. Prandaj kërkohen politika të tjera jo-konvencionale. Nëse Shqipëria ka të tilla dhe mund t’i bëjë. Gjithashut mund të bëhet analiza e inflacionit të ulët si problem strukturor në ekonomi, që do kërkonte politika të forta strukturore që kanë të bëjnë me produktivitetin, me importet, me shitjet, konsumin dhe gjëra të tjera të këtij lloji.”- thotë Adrian Civici. “Ne duhet të fillojmë reforma të vërteta, jo reforma në formë aksioni siç kemi parë kohëve të fundit. Ky vend ka nevojë për reformë strukturoe të vërtetë, ky vend ka nevojë për dialog të hapur me aktorët e zhvillimit. Nëse ne ulemi dhe bëjmë politika publike të përgjegjshme, si për investimet dhe koncesionet. Pse askush nuk bëri një analizë fizibiletit dhe të mos bëjmë shpërndarjen e projekteve ndërmjet bizneseve, që të rrisim mirëqënien. Pra, duhet patjetër një tryezë dialogu ndërmjet të gjithë aktorëve më të rëndësishëm,” shpreh vlerësimet e tij Arben Shkodra.

/SCAN Magazine

SHKARKO APP